Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj i pazakontë, për të shpallur det historik vijën bregdetare shqiptare që nga Gjiri i Sarandës, Butrinti, Ksamili, Himara, Borshi, Qeparoi deri në Palasë. Nisma ligjore është depozituar nga deputeti Kostaq Papa. Në relacionin shpjegues të projektligjit, deputeti i opozitës parlamentare, thekson se kjo nismë ligjore do të mbrojë ujërat detare shqiptare nga vendimi i Greqisë për zgjerimin e detit territorial me 12 milje në Detin Jon. Edhe pse hapësira detare mbrohet me Kushtetutë dhe Konventat ndërkombëtare, deputeti pretendon se ky projektligj mbyll çdo mundësi korrupsioni të nëpunësve të shtetit shqiptar gjatë tratativave për marrëveshje me vendet fqinje.
Deputeti Papa, për të bindur Kuvendin të miratojë nismën e tij, thekson se në këto hapësira ujore detare shqiptare kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme historike botërore, rajonale e kombëtare. Deputeti rendit edhe disa ngjarje historike, të cilat sipas tij, kanë ndodhur në këtë hapësirë, duke përmendur ardhjen e ardhje e Eneas dhe grupit të luftëtarëve të tij pas largimit nga Troja e rrënuar dhe qëndrimi i tij në Butrint si dhe zbarkimi e Perandorit të Romës Jul Qezari me ushtrinë e tij në Palasë rreth vitit 50 p.e.s për të zhvilluar betejat e mëvonshme në Orik me Pompeun.
“Prej detit mbërritën në tokë Dyzetë Shenjtoret dhe u vendosen në shpatin e malit mbi qytet e nga mendohet se ka ardhur emri i sotëm i qytetit. Betejat me ushtrinë e Karl Anzhuinit në Mesjete janë zhvilluar në det në Butrint e Sarandë. Betejat detare të mesjetës me Piratin e Detit Haxhi Dauti janë zhvilluar në detin e Sarandës. Betejat me anijet Franceze prej forcave të Ali Pashës për marrjen e Butrinti dhe tokës përreth. Betejat me anijet e ushtrisë Osmane të zhvilluara në detin e Sarandës. Betejat dhe mbytja e anijeve nazifashiste në Luftën e Dyte Botërore në gjirin e Sarandës. Historia e incidentit në vitin 1946 me Flotën Britanike dhe minat e vendosura nga jugosllavët ku u vranë rreth 50 ushtarë britanikë etj”, thuhet në relacion.
Komisioni për Politikën e Jashtme ka ftuar disa herë ministrin në detyrë Gent Cakaj që të paraqitet në Komision, për të informuar në lidhje me riformatimin e komisionit nga pala shqiptare, që do të marrë pjesë në bisedimet me Greqinë lidhur me kufirin detar. Disa ditë më parë, Presidentit Ilir Meta kërkoi informacion zyrtar mbi veprimet e qeverisë në lidhje me çështjen e kufirit detar me Greqinë.
Pas anulimit të marrëveshjes në vitin 2010, dy ish-ministrat e jashtëm Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, kanë zhvilluar tre takime në periudhën mars-prill 2018. Greqia shkroi drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në mes të vitit 2019 qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras humbi zgjedhjet dhe në pushtet erdhi ‘Demokracia e Re’ nën udhëheqjen e Mitsotakis. Tashmë ky i fundit duhet të caktojë një ekip të ri për të rinisur negociatat. Nga ana tjetër, në Shqipëri, për të shkuar drejt një marrëveshjes, duhen kaluar disa etapa, që nga ngritja e grupit negociator, autorizimin nga Presidentit, verifikimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese dhe në fund votimi në Kuvend. Pala shqiptare sot nuk ka as grup negociator.