TIRANË- Organizatat dhe aktivistët për të drejtat e njeriut i janë përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, pas një deklarate të këtij të fundit se kanë bërë gati një ligj që synon njohjen vetëm të dy gjinive në vendin tonë. Sipas Berishës, ky ligj parashikon edhe dënimin e atyre që përdorin termin Prindi 1 dhe Prindi 2.
Por, në një reagim për mediat, organizatat thonë se Berisha po përdor këtë çështje të ndjeshme për qëllimet e tij politike. Në deklaratë thuhet se është dezinformim, pasi ligji shqiptar lejon regjistrimin e vetëm dy gjinive në Shqipëri.
Deklarata e plotë
Ne, organizatat dhe aktivistët për të drejtat e njeriut në Shqipëri, shprehim shqetësimin tonë për deklaratat e fundit të liderit të opozitës, Sali Berisha, i cili ka lajmëruar se Partia Demokratike po punon për hartimin e një ligji që njeh dhe lejon regjistrimin e vetëm dy gjinive në Shqipëri.
Në fakt, në vendin tonë, kuadri ligjor aktual njeh vetëm dy gjini, të cilat përkojnë dhe barazohen me seksin biologjik të individit të lindur femër apo mashkull, konstatuar në lindje. Në Shqipëri nuk ekziston asnjë parashikim ligjor që lejon regjistrimin e gjinisë për personat transgjinorë dhe as për ata me gjini jo-binare. Ky fakt juridik konfirmohet dhe theksohet edhe nga një seri e gjerë rekomandimesh ndërkombëtare. Në raportin e fundit të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave (CEDAW) është ritheksuar se Shqipëria nuk ka një mekanizëm ligjor për njohjen e identitetit gjinor të personave transgjinorë.
Sa i përket kuadrit të brendshëm ligjor, ligji nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për Gjendjen Civile”, i ndryshuar, ka parashikuar se gjinia është një nga përbërësit e gjendjes civile. Ky ligj nuk ka asnjë rregullim të veçantë për procedurat e ndryshimit të gjinisë për personat transgjinorë dhe me gjini jo-binare. Po ashtu, siç përcakton neni 42 i këtij ligji, gjinia është një përbërës i aktit të lindjes dhe vërtetohet përmes certifikatës së asistencës së lindjes, me raport mjekësor apo me një procesverbal të hartuar në kohën e lindjes. Të vetmet gjini të pasqyruara aktualisht në dokumentet e identifikimit të shqiptarëve janë F dhe M dhe deri sot asnjë person transgjinor nuk ka mundur të ndryshojë ligjërisht treguesin e gjinisë në Shqipëri, pavarësisht situatës faktike.
Kuadri ligjor në fuqi e lë komunitetin transgjinor në një situatë pasigurie juridike, duke pamundësuar reflektimin e treguesit të gjinisë aktuale në dokumentet zyrtare, ka prodhon pasoja të rënda në jetët e personave transgjinorë, të cilët hasin vështirësi të padrejta në kalimin e kufirit, aksesin në shërbime, shëndetësi dhe në të drejta me natyrë personale, reale dhe pasurore .
Në këto kushte, ku shteti shqiptar dhe aktorët politikë, si përfaqësues të të gjithë taksapaguesve shqiptarë, do të duhet të angazhoheshin efektivisht për të adresuar problematikat e të gjithë qytetarëve, pa i diskriminuar ata, deklarata e kreut të opozitës është jo vetëm e pabazuar juridiksht, por edhe dezinformuese për publikun shqiptar, duke shfrytëzuar një çështje të ndjeshme të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për qëllime politike.
Sot, u bëjmë thirrje përfaqësuesve politikë në Shqipëri të distancohen nga dezinformimi, gjuha diskriminuese, gjuha e urrejtjes dhe sulmi i organizuar ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike duke zbatuar standardet etike, profesionale dhe njerëzore ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, pa dallim.
1. Organizatat;
2. Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI
3. Të Bashkuar Pro Kauzës LGBTI
4. Open Mind Spectrum
5. Streha LGBTI
6. Pink Embassy