TIRANË- Regjistri Kombëtar i të Dënuarve për Krime Seksuale ka qenë pjesë e diskutimeve në Komisionin e ligjeve, ku propozuesja e këtij Projektligji, deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho e cilëson shumë të domosdoshme, por edhe të vonuar.
Ajo vë theksin se puna nuk duhet të mbyllet thjeshtë me miratimin e ligjit, por edhe monitorimin e sa se sa po punohet për zbatimin e saj. Për të treguar rëndësinë e këtij projektligji, Xhixho merr si shembull rastin më të fundit në Lushnje, ku drejtori i shkollës ngacmoi seksualisht 15-vjeçaren.
“Sot në Komisionin e Ligjeve dhe Drejtave të Njeriut diskutuam nismën ligjore të “Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale” si një projektligj i domosdoshëm dhe i vonuar, ndaj duhet sa më parë, të bëjmë të mundur miratimin e tij dhe vënien në zbatim për të parandaluar krime seksuale të përsëritura.
Rasti më i fundit i një drejtori shkolle në qytetin e Lushnjës, i cili gjen guximin të ngacmojë seksualisht një vajzë te mitur 15 vjeç, është gjithashtu dëshmi se në çfarë gjendjeje të mjeruar janë mekanizmat parandalues dhe ndëshkues të shtetit.
Puna jonë nuk mbaron me miratimin e ligjit, por fillon me monitorimin e zbatimit të tij dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar, në mënyrë që të kemi një ligj eficient, që mban nën vëzhgim këta grabitqarë seksualë, të cilët kërcënojnë fëmijët tanë, që parandalon raste të përsëritura dhe njëkohësisht ndalon ligjërisht punësimin e tyre në sistemin arsimor publik ose privat apo institucione të tjera, ku grabitqarët seksuale mund të jenë rrezik për fëmijët, gratë, vajzat dhe djemtë.
Miratimi i tij është një detyrim i menjëhershëm i secilit prej nesh!
Sot duhet të veprojmë”, shkruan Xhixho.