“Nuk ka asnjë gjobë automatike për qytetarët, nuk ka dakordësi apo projekt nga ana jonë për të lejuar pasi nuk ndodh në asnjë vend të BE-së dhe nuk ka për të ndodhur me dakordësinë tonë”, tha drejtori i DPSHTRR Gonxhja.
Në kodin e ri rrugor nuk do të përfshihet vendosja e gjobës automatike për mjetet që nuk rinovojnë kontratën e sigurimit brenda 30 ditësh nga përfundimi. Komisioni i Ligjeve me kërkesë të drejtorit të shërbimit të transportit rrugor Blendi Gonxhja, vendosi të mos i miratojë pikat për ndëshkimin automatik.
“Ne nuk mund të kemi parashikime që marrin në mbrojtje interesat e shoqatës së siguruesve. Gjoba është automatike mund të vij edhe kur makina është në garazh. Ne do ja sugjerojmë komisionit përgjegjës por edhe nëse komisioni përgjegjës nuk e merr në konsideratë, ne do e hedhim si propozim alternative në seancë, dhe këto dy paragrafë të mos jenë pjesë e ligjit”, u shpreh kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.
Pika 1 dhe 2 e nenit 9 të projektligjit që parashikonin gjobën automatike, sipas Gonxhes asnjëherë nuk kanë qenë të dakordësura pasi një praktikë e tillë nuk zbatohet në asnjë shtet të BE.
“Ne nga ana jonë asnjëherë nuk e kemi mbështetur këto dy pika, dhe janë të ezauruara në ligjin tjetër. Dhe janë të tepërta dhe nga ana kushtetuese nuk është në rregull. Krijohen afate që lënë vend për keqkuptim. Nuk ka gjoba automatike në mungesë, gjobat do të vendosen në rast se mjetet janë në zona publike, në parkim apo qarkullim, me prezencë polici atëherë vendoset gjobë. Por nuk ka gjobë apriori se nuk ke paguar TPL-në, sepse mund të jeni në spital, mund të jeni jashtë vendi apo në situatë tjetër, dhe nuk ju lejojnë qarkullim. Nuk zbatohet kjo dispozitë”, tha Gonxhja.
Me ndryshimet e reja parashikohet edhe konfiskim i mjetit që është i blinduar pa autorizim.
“Konfiskim për të gjitha mjetet e blinduara dhe që nuk janë të regjistruara”, u vendos në Komisionin e Ligjeve.
Ndryshimet në Kod po bëhen me objektivin për të ulur aksidentet rrugore si dhe për të legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian.
( Kliko këtu ) Projekt-ligji për kodin rrugor