‘Ligjet’ miratojnë projekt-ligjin për arbitrazhin! Zv.ministri i Drejtësisë: Ul kostot e biznesit, procese jo të tejzgjatura! Çupi: Mos po largohemi nga arbitrazhi ndërkombëtar?

27 Qershor 2023, 13:01| Përditesimi: 27 Qershor 2023, 16:04

  • Share

Komisioni i Ligjeve miratoi të martën me 9 vota pro dhe 2 kundër, ndryshimet ligjore që i hapin rrugë ngritjes së Gjykatës së Arbitrazhit. Një nisëm ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, që i jep mundësi palëve që zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre ta gjejnë edhe jashtë dyerve të gjykatave, duke kursyer kohë dhe kosto

‘I vjen në ndihmë bizneseve që mos zvarriten nëpër gjykata, por me dakordësi mes tyre t’i japin zgjidhje konfliktit në arbitrazh, ku mund ta zgjedhin vetëm trupën e ekspertëve që do shqyrtoj çështjen. Vendimi ka të njëjtën vlerë dhe zbatueshmëri si vendimet e gjykatave.’- tha Klad Karameta zëvendës ministër i Drejtësisë.

Opozita ngre shqetësimin se ndryshimet ligjore, i hapin rrugë largimit të Shqipërisë nga marrëveshjet ndërkombëtare që i japin akses vendit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

‘Duke qenë se deklarata e Kryeministrit ishte për këtë, për të qenë vartës të denjë, natyrisht keni bërë një ligj që i shkon qejfit të Kryeministrit. Qëllimi duhet të jetë shkurtimi I kohës, procedurave për ta zgjidhur në mënyrë jo gjyqësore të parashikuar deri më tani me ligj. Ajo çfarë mua më shqetëson është se ju po bëni një ligj për arbitrazhin për tu larguar nga marrëveshjet ndërkombëtare? Është e rëndë po të jetë kështu? Për të krijuar një organ  më tepër të varur nga qeveria? Për ti shpëtuar miliona eurove që u detyrohet arbitrazhit ndërkombëtar?’- tha deputetja Çupi.

‘Mos e keq informoni publikun! Pyet Ramën në seancë plenare për këtë!’- tha Klotilda Ferhati deputete e PS-së.

‘Ky projekt ligj ka nisur të diskutohet që prej vitit 2019, nuk është nisur tani. Balanca anon më shumë nga ana e nevojës për të patur një projekt ligj cilësor. Neni 4, rregullon dhe fushën e zbatimit të ligjit, ku fokusohet te procedurat e arbitrazhit kombëtare dhe ndërkombëtar për rastet kur vendi ku zhvillohet arbitrazhi është vendin jonë.’- u shpreh Besmir Beja, drejtor i kodifikimit te ministria e Drejtësisë.

Në arbitrazh mund të drejtohen edhe qytetarët, edhe pse kryesisht ai do të jetë më i përdorshëm nga komuniteti i biznesit. Ngritja e Gjykatës së Arbitrazhit i vjen në ndihmë edhe çështjeve që janë aktualisht në pritje të vendimit të gjykatës, pasi palët kanë të drejtë që, nëse bien dakord me njëra-tjetrën, të ndërpresin procesin në gjykatë dhe t’i drejtohen arbitrazhit. Vendimi mund të kundërshtohet vetëm në Gjykatën e Apelit me juridiksion të përgjithshëm. Kjo mënyrë e zgjidhjes së ul kostot e biznesit dhe rritë besimin tek sistemi. Gjykata e Arbitrazhit parashikohet të ketë tre arbitër dy prej të cilëve mund të zgjidhen nga vetë palët.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?