Foto ilustruese nga Komisioni i Ligjeve

'Ligjet' miratojnë projektligjin 'Për azilin në Republikën e Shqipërisë'

21 Tetor 2020, 18:04| Përditesimi: 21 Tetor 2020, 18:50

  • Share

TIRANË- Komisioni i ligjeve, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi,  shqyrtoi sot nen për nen projektligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë me anë të së cilit synohet të bëhen ndryshime që do të sigurojnë një kornizë ligjore sipas standarteve evropiane për të gjithë azilkërkuesit.

Ky projektligj parashikon ndalimin e hyrjes apo qendrimit në shtetin tonë për të gjithë personat që cënojnë sigurinë në shtetin tonë. Relatorja Elena Xhina, sqaroi në komision arsyet pse janë bërë ndryshime te neni që i ndalon hyrjen dhe qendrimin në vendin tonë personave të dënuar. Sipas deputetes, do duhet të qartësohet se nuk bëhet fjalë për personat që cënojnë sigurinë publike por personat që cënojnë sigurinë e shtetit shqiptar.

“Te Neni 11, pika 3b, ndryshimi është propozuar për faktin se, nëse do ta lexoni me kujdes dispozitën nuk bëhet fjalë për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë publike, por bëhet fjalë për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë në Republikën e Shqipërisë. Pra, nëse do ta shohim me kujdes si vazhdon fjalia nuk bëhet fjalë fare për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë publike pasi kemi dhe vepra që janë zhurma në mjedis, kemi vepra pafund, ndërsa kur flasim për vepra që cënojnë rendin dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë, janë vepra të rënda. Fakti që është hequr ai “minimum 7 vjet” ishte për faktin se kishte vepra që dënoheshin 10 vite e lart, për këto lloj krimesh. Do ta kemi parasysh te komisioni i sigurisë që të gjejmë titullin që i përkojnë kreut të kodit penal që mos kemi probleme të tilla, që të qartësojmë që bëhet fjalë për cënimin e sigurisë së shtetit dhe jo sigurisë publike”, shprehet relatorja e projektligjit Elena Xhina.

Në ndryshim nga legjislacioni aktual për azilin është përcaktuar  në projektligj kuptimi i persekutimit, si dhe janë përcaktuar aktorët e persekutimit, por për këtë cështje relatorja Xhina kërkoi nga grupi i punës i ministrisë së brendshme të bënte një qartësim më korrekt që mund të shqyrtohet në Komisionin e Sigurisë.

Ndër të tjera në krahasim me ligjin ekzistues janë parashikuar  afatet për shqyrtimin e kërkesës nga struktura përgjegjëse në ministrinë përkatëse për çështjet e azilit dhe refugjatët që, si rregull, zgjasin 6 (gjashtë) muaj nga data e paraqitjes sëkërkesës, rastet e zgjatjes së afatit të cilat bëhen për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh, si dhe është përcaktuar afati maksimal kohor për përfundimin e shqyrtimit të kërkesës që është 21 (njëzet e një) muaj nga paraqitja e tij.

Komisioni i Ligjeve është komisioni për dhënie mendimi, ndërkohë përcaktime më të qarta ligjore pritet të bëhen në Komisionin e Sigurisë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?