Zhvillimi i zonave malore ngec në komisionet parlamentare. Mes debateve opozitë-qeveri projektligji për Paketën e Maleve është pezulluar në Komisionin e Ligjeve dhe për pasojë nuk do të kalojë në seancën plenare të 13 shkurtit.
Partia demokratike thotë se përmes këtij ligji hapen shtigje për korrupsion, ndërkohë që bie ndesh edhe me Kodin Zgjedhor, që ndalon që 4 muaj përpara zgjedhjeve të miratohen nisma që sjellë përfitime për disa kategori, me efekt elektoral.
“35 organizata e shoqërisë civile kërkojnë shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për të pasur transparencë. Është ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit”, tha Dhurata Çupi.
“Ka disa ndalime për ligjet që kanë përfitime, ne si deputetë duhet ta dëgjojmë që ta gjykojmë. Propozoj ta dëgjojmë dhe ti kërkojmë opinion edhe KQZ mbi këtë projektligj”, u shpreh Damian Gjiknuri.
Pasi u pezullua shqyrtimi të Ligjet, edhe Komisioni i Ekonomisë nuk mori vendim pro kësaj nisme, dhe shtyu miratimin për qartësim të projektligjit.
“Ka nevojë për kohë më të gjatë për diskutim, pasi 35 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar konsultim, për të parandaluar korrupsionin. Po ashtu bie ndesh me Kodin Zgjedhor pasi ka lehtësi fiskale”, tha Emilia Koliqi.
“Kemi nevojë për prezantim dhe jo ta votojmë. Të enjten nuk do të jetë në axhendën e seancës plenare”, u shpreh Shalsi.
Përmes këtij projektligji të propozuar nga Ministria e Ekonomisë, synohet që përmes tarifës simbolike 1 euro të shiten tokat shtetërore në zonat malore, që kanë një posedues faktikë, pra e kanë përdorur si të jenë pronarë.
Kushti i vetëm është që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar atë.
Kjo nismë ndërmerret për të fuqizuar ekonomikisht zonat malore dhe për të zhvilluar edhe më shumë turizmin.
Nga kjo paketë ligjore planifikohet të jenë 500 përfitues, të cilët do të bëjnë biznes pa taksa për 10 vite, pra përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme, nga TVSH dhe nga tatimi mbi fitimin.
Komente
