“Ligjet” shtojnë fondet e institucioneve të drejtësisë, Bushka: Ky buxhet i pagave, pa shpenzime luksi për makina

24 Nëntor 2023, 17:45| Përditesimi: 24 Nëntor 2023, 17:53

  • Share

Komisioni i ligjeve pranoi disa nga kërkesat e institucioneve të drejtësisë për shtesa në buxhetin e parashikuar për vitin 2024, kryesisht për rikonstruksionin e godinave.

“Për Prokurorinë e Përgjithshjme, shtesë në zërin e mallrave dhe shërbimeve 50 milionë lekë, për Këshillin e Lartë Gjyqësor 134.5 mln lekë, për studime dhe projektime, rikonstruksione ndërtimore, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë 12 milionë për mbulimin e kostove shtesë të rikonstruktimin e godinës, 6 milionë për dy automjete shtesë...” tha Klevis Xhoxhi, relator

Pas ndryshimeve të fundit, 22 nenet e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” u votuan në mbledhjen e zhvilluar online.

Me 15 vota pro u miratua dhe projekt raporti që i sugjeron komisionit të  ekonomisë disa shtesa në buxhetin e 11 institucioneve. Ligjet i sugjeruan Komisionit të Ekonomisë shtesë financimi për Ministrinë e Drejtësisë e cila kërkon 300 milionë lekë për uniforma të stafit të burgjeve ndërsa Presidenca kërkon para për 1 automjet shtesë.

Zëvendës ministrja e Financave Olta Manjani premtoi miratimin e kërkesave sipas hapësirave financiare që do të krijohen, ndërsa kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka tha se nuk do të ketë shtesa për ato që i konsideroi shpenzime luksi”.

“Dakord me kërkesat e komisionit të ligjeve, do prioritetizohen kur të krijohen hapësira financiare, e gjithë paketa do të miratohet në komisionin e ekonomisë” tha Olta Manjani, zv ministre e Financave

“Ky buxhet ka në përparësi pagat, pjesa tjetër do duhet të menaxhohet me kujdes, flitet për ILD që kërkon mjete për inspektime në rrethe, kur kemi bërë raportet do kuptoni që janë hequr shpenzimet ekstra, nuk po them luksi, mjetet kanë rëndësinë e tyre, por do duhet të jenë në masën që i përgjigjet nevojave të punës” u shpreh Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve

Konferenca e kryetarëve e mbledhur dje vendosi që 7 dhjetori të jetë data e seancës plenare ku do të diskutohet nen për nen buxheti 2024 dhe paketa fiskale.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?