Deputetja e PD, Jorida Tabaku

Ligji i investimeve strategjike, afati shtyhet deri në dhjetor 2024, Tabaku: S’keni lënë gjë pa dhënë me këtë ligj! Braçe: S'kishim ç’të jepnim, i kishit dhënë ju para 2013-ës

5 Mars, 15:13| Përditesimi: 5 Mars, 20:15

  • Share

Komisionet parlamentare rrëzuan propozimet e deputetit të PS-së Eduard Shalsi për të rritur vlerën e investimit për të fituar statusin strategjik dhe ndryshimet e disa kushteve e kritereve në ligjin e investimeve strategjike.

Këtë të martë (5 mars) Komisioni i Ekonomisë dhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese rrëzoi të gjitha nenet e projektligjit të propozuar nga Shalsi dhe miratuan vetëm shtyrjen e afatit të ligjit të investimeve strategjike deri në fund të këtij viti, pasi ligjit i ka skaduar afati në dhjetor 2023.

Në komisione Shalsi tha se është pro këtyre vendimeve për shkak se një grup pune po punon për të hartuar draftin final për investimet strategjike dhe ato të huaja, e që do të dalë në konsultim brenda pak muajsh.

Pjesë nga diskutimi në Komisionin e Ekonomisë:

Jorida Tabaku: Shtyrja e afatit për herë të pestë për mua është shumë shqetësuese. Ka dhjetë vite që po punohet për një ligj integral për investimet. Nga 84 kërkesa, 75% janë për fshatrat turistike, nuk kemi një vlerësim si këto investime kanë ndikuara në ekonomi, çfarë punësimi kanë sjellë dhe sa investime të huaja kanë ardhur në vend. Ligji është jashtëzakonisht abuziv dhe klientelist. Kam edhe një shqetësim në lidhje me pronën, në kadastrën e Vlorës dhe në të gjitha në të gjithë zonën e jugut, sepse ligji merr parasysh që pronat që janë me pronarë legjitim, i ndërmjetëson dy pronarët për ti shitur jo me çmim tregu por në çmim VKM-je. Ca ka ngelur më për tu dhënë si investim strategjik sepse janë dhënë të gjitha këto 9 vite.

Dashamir Shehi: Ky ligj duhet të mbyllet brenda këtij viti pasi po tërhiqet zvarrë prej shumë vitesh dhe nuk ka prodhuar asgjë. Kam menduar se do të sjellë diçka shumë të madhe por gjatë këtyre viteve nuk kemi parë kurrgjë, u bënë vetëm ca hotele e restorante që nuk kanë nevojë për një ligj special. Hotelet nuk kanë asnjë gjë strategjike. Nga këto nuk kemi parë kurrgjë. Të mbyllet brenda këtij viti të mos ketë më asnjë shtyrje, çfarë strategjie është ndërtimi i një vile në buzë të detit, nuk ka nevojë ky sektor për privilegje. Të vij ligji i madh që është thënë. Nëse e shtyjmë deri në fund të këtij viti jam pro edhe unë, kurse ndryshe jo se s’ka kurrë gjë strategjike në këto sektor që janë investuar.

Jorida Tabaku: Nëse kemi një ligj integral investimesh që merr parasysh disa element, edhe screening të investimeve, a kemi po lejojmë ne para ruse pse kineze, apo sesi do të hyjnë investimet në Shqipëri, patjetër që ne do e mbështesim.

Erion Braçe: Edhe para 10 vitesh të gjitha ishin dhënë, nëse Tabaku pyet ca ka ngelur më pa u dhënë. Nafta para 10 vitesh ishte dhënë e gjitha, ishte privatizuar, në gjykimin tim ishte e dështuar. Edhe energjia ishte privatizuar, 4 HEC-e të mira ishin privatizuar dhe me dëm kolosal, dhe ishte dhënë rruga për HEC-e të reja private, HEC-i i Banjës duhet të ishte vepër vaditëse. Po aeroporti ishte dhënë që para 10-vitesh, po dhe minierat ishin dhënë të gjitha. Këto janë strategjike por ishin dhënë para 10 vitesh. Ka mbetur vetëm Skavica po zgjidhet me ligj të veçantë. Ça ka ngelur më se ishin dhënë të gjitha.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?