Drafti/ Ja kush përjashtohet nga pjesëmarrja në tendera, zgjerohen kategoritë dhe kushtet ndëshkuese

26 Dhjetor 2019, 09:46| Përditesimi: 26 Dhjetor 2019, 12:00

  • Share

TIRANE-  Qeveria ka hartuar një projektligj të ri për prokurimin publik, duke përcaktuar rregulla të reja si dhe përmirësuar procedurat aktuale për tenderat. Nisma ligjore do të konsultohet me gupet e interesit, më pas do të miratohet nga qeveria, e cila do ta dërgojë për shqyrtim në Kuvend. Nisma synon të ndërtojë një sistem sa më transparent dhe jo të korruptueshëm të prokurimit publik, ndërsa reflekton gjetjet dhe rekomandimet e ndryshme të organizmave ndërkombëtarë, si: Komisioni Evropian, Banka Botërore etj.

Përpos të tjerave, projektligji me 17 krerë dhe 137 nene zgjeron kategoritë e personave dhe kompanive,  të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në asnjë procedurë tenderuese. Sipas nismës së re, do të përjashtohen nga procedurat e prokurimit edhe personat që kanë kryer shkelje që lidhen me legjislacionin mjedisor, social dhe të punës. Po ashtu, do të përjashtohen ata që kanë marrë përsipër të ndikojnë në mënyrë të gabuar në vendimmarrjen e institucioneve shtetërore për fituesit e tenderave si dhe personat e shpallur fajtor për shkelje të rënda profesionale. Nisma e re reflekton edhe parashikimin e ligjit aktual në fuqi, sipas të cilit ndalohen të marrin pjesë në tenderat të gjithë personat që janë ose kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion, mashtrim, pastrim parash ose financim të terrorizimit, falsifikime, vepra terroriste, trafiqe dhe punësim të fëmijëve.

Përjashtohen nga tenderat edhe personat e dënuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur dhe organizatë terroriste. Ndërkaq, kompania do të përjashtohet edhe kur personi i dënuar është drejtues ose mbikëqyrës i saj, aksioner ose ortak, ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda saj. Do të përjashtohen nga tenderat edhe kompanitë në konflikt interesi, kur nuk ka paguar taksat si dhe kur ka treguar mangësi të mëdha ose të përsëritura në zbatimin e një kërkese thelbësore në zbatim të një kontrate publike të mëparshme.

Kategoritë e plota që përjashtohen nga tenderat 

-Janë ose kanë qenë të dënuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi

-Korrupsion sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;

-Mashtrim sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;

-Pastrim parash ose financim i terrorizmit sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
 
-Vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi; 

-Falsifikim;
- Punësimi i fëmijëve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

(Detyrimi për skualifikimin e një operatori ekonomik zbatohet edhe kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak, operator ekonomik, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda tij). 

-Një operator ekonomik skualifikohet nga pjesëmarrja në një procedurë prokurimi kur nuk ka paguar taksat dhe sigurimet shoqërore. 

-Kur autoriteti ose enti kontraktor provon se ka shkelje të detyrimeve të zbatueshme që lidhen me legjislacionin mjedisor, social dhe të punës. 

-Kur operatori ekonomik ka falimentuar ose është subjekt i procedurave të falimentimit;
-Kur operatori ekonomik është shpallur fajtor, me vendim gjyqësor të formës së prerë për shkelje të rëndë profesionale; 

-Kur autoriteti ose enti kontraktor provon se operatori ekonomik ka lidhur marrëveshje me operatorë ekonomikë të tjerë që kanë si qëllim të shtrembërojnë konkurrencën;

 -Kur operatori ekonomik ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi;

-Kur operatori ekonomik është tërhequr nga nënshkrimi i kontratës në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga vetë autoriteti ose enti kontraktor. Ky kusht zbatohet brenda një viti nga tërheqja.

-Kur operatori ekonomik ka treguar mangësi të mëdha ose të përsëritura në zbatimin e një kërkese thelbësore në zbatim të një kontrate publike të mëparshme me vetë autoritetin ose entin kontraktor që kanë çuar në mbajtjen e penaliteteve sipas parashikimeve të kontratës. Ky kusht zbatohet brenda dy vjetëve nga përfundimi i kontratës, e cila, ka rezultuar me probleme kontraktuale.

-Kur operatori ekonomik ka paraqitur deklarata të rreme në dhënien e informacionit të kërkuar për të vërtetuar mungesën e arsyeve për skualifikim ose për plotësimin e kritereve të përzgjedhjes, ka fshehur një informacion të tillë ose nuk është në gjendje të dorëzojë dokumentet provues sipas kërkesave të përcaktuara në dokumentat e tenderit; 

-Kur operatori ekonomik ka marrë përsipër të ndikojë në mënyrë të gabuar procesin e vendimmarrjes së autoritetit ose entit kontraktor për të marrë informacion konfidencial, që mund t'i japë atij avantazh të padrejtë në procedurën e prokurimit, ose nga pakujdesia të japë informacione të gabuara që mund të kenë ndikim domethënës në vendimet që lidhen me përjashtimin, përzgjedhjen ose prokurimin.

-Kur operatori ekonomik është përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit, me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arber: 26/12/2019 12:06

    Shume mire . Por te perjashtohen jo vetem nga punet publike por edhe nga cdo lloj sipermarrje ne dobi te te treteve apo investime per te tjeret .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?