Ligji i ri ndalon ‘patronazhistët’ në partitë politike: Të drejtë të përdorin vetëm të dhënat personale të anëtarëve

12 Korrik 2022, 12:48| Përditesimi: 12 Korrik 2022, 12:57

  • Share

1657623015_1651480540164154367216402631491640262505pagatprillii749x4501.jpg

Në ndryshimet e ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ka një nen edhe për një prej çështjeve më të diskutuara në politikën shqiptare, atë të ‘patronazhistëve’.  Në ligjin e ri parashikohet që partitë  politike nuk kanë të drejtë të përpunojnë të dhënat, përveçse të anëtarëve apo ish-anëtarëve të tyre.

“Me kusht që të zbatohen masa të përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe interesave të subjekteve të të dhënave, lejohet përpunimi i të dhënave sensitive në rastet kur: është i nevojshëm për veprimtarinë e ligjshme të organizatave jofitimprurëse politike, filozofike, fetare dhe sindikaliste, me kusht që përpunimi të lidhet vetëm me anëtarët ose ish-anëtarët e organizatës ose me persona që kanë kontakte të rregullta me të në kuadër të veprimtarisë së saj, si dhe që të dhënat personale të mos përhapen jashtë organizatës pa pëlqimin e subjekteve të të dhënave”, thuhet në nenin 9, pika 2 shkronja d e projektligjit.

Projektligji thotë se të dhënat personale janë ato që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, besimin fetar ose pikëpamjet filozofike, anëtarësimin në sindikata, përpunimi i të dhënave gjenetike ose të dhënave biometrike me qëllim për të identifikuar në mënyrë unike një person, si dhe i të dhënave në lidhje me shëndetin, jetën ose orientimin seksual të një personi.

Kujtojmë se çështja e patronazhistëve nxiti shumë debat në arenën politike pak para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021, ku në një database me të dhënat e qytetarëve të kryeqytetit, përdorej nga PS. Por Report TV, përmes një liste të siguruar ekskluzivisht, vërtetoi atë që ishte paralajmëruar edhe nga mazhoranca, se edhe partitë e tjera opozitare kishin të njëjtin sistem si punë të përditshme të tyre. Lista që Report Tv siguroi ishte një pjesë e gjithë asaj që zotëronte PD, e cila nuk kishte një database të plotë por të copëtuar.  Përdorimi i të dhënave nga forcat politike është dënuar apo është konsideruar si shqetësim edhe në disa raporte të organizatave ndërkombëtare.


Lajmi kryesor:

Të dhënat personale, ndryshimet në ligj sjellin të drejtën për 't'u harruar'! Gjobë deri në 2 mld lekë kush nuk respekton vendimet e Komisionierit mbi privatësinë


K.T./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?