Politikë

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi

27 Dhjetor 2024, 18:17| Përditesimi: 27 Dhjetor 2024, 18:20

  • Share

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një pritje në kuadër të miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili parashikohet të hyjë në fuqi në janarin e vitit 2025.

“Sot, me ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vendi ynë ka siguruar standardet më të larta, të përcaktuara edhe në Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, GDPR.” tha Dervishi.

Komisioneri Besnik Dervishi falenderoi të gjithë aktorët e përfshirë në procesin që zgjati 4 vite, deri në finalizimin e tij, me miratimin e ligjit të ri, të përafruar plotësisht me kuadrin rregullator të BE-së.

Në këtë takim morën pjesë Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, Ministri i Shtetit për Anti-Korrupsionin dhe Administratën Publike, Adea Pirdeni, Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço, Avokatja e Popullit, Erinda Balanca, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi,  Robert Gajda, përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ekspertë dhe bashkëpunëtorë.

Ministri i Drejtësisë tha se ky ligj ofron garanci për qytetarët shqiptarë, njësoj si për ata evropianë. Gjithashtu, është një garanci më shumë edhe për biznesin.

“Tani është sfidë zbatimi i ligjit dhe se ai duhet të jetë përgjegjësi e të gjithë institucioneve dhe jo vetëm e Komisionerit”, vuri në dukje ministri Manja

Për realizimin e këtij pr/ligji procesi ka zgjatur 4 vite. Ky ligj sjell risi që ecin paralelisht me zhvillimet teknologjike dhe digjitalizimin e shërbimeve, si: mënyra të reja të dhënies së pëlqimit; e drejta për t’u harruar; konceptet inovative, si transferueshmëria e të dhënave; privatësia në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar; si dhe parashikon sanksione më të forta për shkeljet e dispozitave të tij.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?