Ligji i ri për Policinë/ Për herë të parë mbështetje psikologjike për efektivët! Eprorët detyrë t’i marrin armën efektivit që shfaq probleme

22 Mars, 14:58| Përditesimi: 22 Mars, 16:03

  • Share

Ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit përfshijnë për herë të parë garancinë e mbështetjes psikologjike të policëve, të cilët përballen me situata të rënda në terren. Në nenin e veçantë është parashikuar edhe tërheqja e armës së shërbimit nga eprori në momentin që konstatohet gjendje e rënduar psikologjike, për të shmangur situata të agravuara.

Ludjan Zaimi ishte një polic i rregullt, por prej kohësh bullizohej nga kolegu i tij Çaush Saliasi. Situata shkoi në një pikë që durimi dhe nervat e lëshuan, duke derdhur drejt tij lum plumbash brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë në maj 2022.

Për fat të keq në atë kohë eprorët nuk mundën të parandalojnë vrasjen tragjike, tërheqja e armës së shërbimit mund të kishte shmangur tragjedinë. Ngjarja la gjurmë në Policinë e Shtetit dhe ngriti pikëpyetje të shqetësimeve psikologjike të efektivëve dhe më në fund ka një vëmendje edhe nga ana ligjore.

Për herë të parë, garantimi i mbështetjes psikologjike për blutë do të jetë i përfshirë edhe në ligj në fazë konsultimi. Aty përfshihet një nen i veçantë për mbështetjen psikologjike dhe vjen si risi. Në nenin 112 në të drejtën për mbështetje psikologjike thuhet:

“Punonjësit të policisë i ofrohet ndihmë dhe mbështetje psikologjike në rast të përjetimit të stresit dhe gjendjes së rënduar psikologjike gjatë kryerjes së detyrave policore ose pas ngjarjeve të ndodhura me pasoja në shëndetin mendor të tij”, thuhet në pr.ligj.

Në rastet e ngjashme, eprorët e policëve që shfaqin çrregullime psiko-sociale, duhet të marrin masa të menjëhershme.

“Në rastin kur konstatohet çrregullim i përkohshëm psiko-social i punonjësit të policisë, eprori, merr masa për tërheqjen e armatimit personal deri në një vlerësim të specializuar të shëndetit mendor të punonjësit”, thuhet në projektligj.

Së fundmi, një efektiv policie në Durrës i dha fund jetës brenda zyrës së tij pas një gjendjeje të rënduar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për një konflikt dhe për pasojë u përjashtua nga blutë. Deri vonë psikologët nëpër drejtoritë e policive në qarqe kanë qenë orientuar nga të arrestuarit me probleme, por në muajt e fundit, qasja ka ndryshuar dhe në vëmendje janë shtuar punonjësit e policisë, me intervista periodike të policëve aktual apo të rekrutuarit e rinj.

Shqiponjat, Rrugorja dhe Rendi, raportohet se kanë nivelin më të lartë periodik të shqetësimeve psikologjike për shkak të kontaktit e shpeshtë me qytetarët, ndërsa RENEA apo Forca Kombëtare e Sigurisë për nivelin e vështirësisë së operacioneve ku përfshihen.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?