Ligji i ri për burgjet, si do të përcaktohen të dënuarit e rrezikshëm për t'u izoluar

13 Mars 2019, 07:37| Përditesimi: 13 Mars 2019, 13:52

  • Share

Ministria e Drejtësisë ka propozuar një tjetër paketë me ndryshime në ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Ndryshimet, të cilat pritet të miratohen fillimisht nga Këshilli i Ministrave dhe më pas nga Parlamenti, parashikojnë forcimin e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë, përmes sanksioneve të forta për të dënuarit dhe të burgosurit me rrezikshmëri të lartë, për anëtarë të organizatave terroriste, të bandave kriminale ose krimit të organizuar, që kanë rrezik të arratisen dhe që cenojnë sigurinë kombëtare. Ndryshimet e reja do të mundësojnë zbatimin e ndryshimeve të miratuara në fund të vitit 2018, për izolimin e mëtejshëm të 22 kategorive të të dënuarave dhe të paraburgosurve, të dënuar apo të dyshuar për kryerjen e 22 veprave të rënda penale. Bëhet fjalë për aplikimin e regjimit të posaçëm i izolimit ’41-bis’, në kuadër të masave për goditjen e veprimit dhe të depërtimit të krimit në burgje. Fillimisht do të izolohen rreptësisht 270 të dënuar apo persona nën hetim në paraburgim, ku do të kenë zero kontakte me botën e jashtme.

Ndryshimet e reja parashikojnë ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë. Ky komision përcakton rrezikshmërinë dhe si rrjedhojë i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nivelin e sigurisë që do të mbahet një i burgosur. Kur gjykata nuk është shprehur në vendim, Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë të dënuarve, i propozon Drejtorit të Përgjithshëm ndryshimin e klasifikimit të sigurisë të dënuarit, mbështetur në raportin e vlerësimit të riskut të sigurisë.

Raporti i riskut për të dënuarin   

Raporti për një të dënuar përfshin riskun për përsëritje të të njëjtit krim, riskun e arratisjes, riskun për të shkaktuar dëm brenda institucionit, risku i dëmit nëse do të arratisej, kontaktet me botën e krimit jashtë, drejtimin e organizatave kriminale nga burgu etj. Raporti do të hartohet me anë të formatit të vlerësimit të rrezikshmërisë, i cili do të hartohet dhe miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ky format përdor të dhënat nga vlerësimi i rrezikshmërisë faktike bazuar në tregues të njohur kriminogjenë, për të arritur në një rezultat të vlerësimit të rrezikshmërisë. Në bazë të këtij raporti, Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë propozon nivelin e sigurisë nga shkalla më e lartë deri tek shkalla më e lartë, në përputhje me rrezikshmërinë që paraqet subjekti.

Anëtarët e Komisionit

Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve ngrihet në drejtorinë e burgjeve. Komisioni ka në përbërje të tij 5 anëtarë, një përfaqësues të shërbimit të sigurisë, një përfaqësues të sektorit ligjor, një përfaqësues të sektorit të çështjeve shoqërore, një përfaqësues të shërbimit shëndetësor dhe specialisti i sektorit të kujdesit social që trajton të dënuarin. Caktimi i 4 anëtarëve të komisionit, me përjashtim të specialistit të sektorit të kujdesit social, bëhet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe ndryshon një herë në vit. 

Kush izolohet?

Izolimi do të bëhet në raste të veçanta, kur për një të dënuar apo të paraburgosur që ka kryer një nga 22 vepra të rënda penale dhe ka dyshime se vijon kontaktet me botën e jashtme, në funksion të aktivitetit kriminal. Sa i takon kategorive, përfshihen të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, për vrasjen e funksionarëve publikë dhe të punonjësve të policisë. Gjithashtu mund të izolohet çdo i dënuar apo i paraburgosur për të gjitha veprat penale me qëllime terroriste, ku përfshihet edhe financimi, dhënia e informacionit, fshehja e fondeve, rekrutimet, rrëmbimet etj. Mund të izolohen edhe të dënuarit si anëtarë apo drejtues të bandave të armatosura, organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale. Gjithashtu përfshihen të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin e prodhimit dhe shitjes së drogës, organizimin e trafikut të drogës, kultivimin etj.

Kushtet e izolimit

Të burgosurve dhe të paraburgosurve që do të izolohen u lejohet vetëm një takim familjar në muaj, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera, ndërsa biseda i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Gjithashtu të burgosurit që do të konsiderohen të rrezikshëm dhe që dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë, do t’u lejohet vetëm një bisedë telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta. Atyre do t’u ndalohet përdorimi i vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund t’i marrin nga jashtë. Do t’u kontrollohet korrespondenca si dhe do reduktohet qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë. Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit. Kundër vendimit të Ministrit të Drejtësisë, për vendosjen apo zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri apo avokati mbrojtës mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit.

Ligji i ri / Mediat mund të hyjnë nëpër burgje

Ndryshimi / Të dënuarit do të komunikojnë me mediat

Të dënuarit dhe të paraburgosurit do të lejohen të komunikojnë me median. Kështu parashikon projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për ndryshimin e ligjit për të për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Ky ndryshim konsiston në garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive të tyre themelore të të dënuarave, në përputhje me aktet e Bashkimit Evropian, si Rregullat Evropiane të Burgjeve.

Projektligji riformulon nenin 41 të ligji në fuqi duke parashikuar të drejtën e të dënuarave për të komunikuar me ligjin, e drejtë kjo e kufizuar deri më sot. “Të dënuarit dhe të paraburgosurit lejohen të komunikojnë me median. Përjashtim bëjnë rastet kur ka arsye të forta për të mos lejuar këtë gjë për qëllime të ruajtjes së sigurisë brenda IEVP-së, integritetin e viktimave, të burgosurve të tjerë ose të personelit të burgut. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve lëshon autorizime me kërkesë të motivuar, për hyrjen e mediave në mjediset e IEVP-së. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për autorizim, merren në konsideratë të gjitha aspektet e sigurisë të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni. Në rastin e të paraburgosurve merret miratimi paraprak me shkrim i prokurorit”, parashikon neni i ndryshuar. Gjithashtu, është parashikuar për herë të parë ndalimi i kontrollit të korrespondencës të të dënuarave mbi letrat që u dërgojnë avokatëve mbrojtës dhe organizmave ndërkombëtarë kompetentë në fushën e të drejtave të njeriut. Por nga ana tjetër është shtuar një pikë, e cila parashikon lejimin e kontrollit të të burgosurve edhe në pjesët intime, por gjithnjë nga mjeku.

Faksimile e projektligjit për trajtimin e të dënuarve

 

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fahrri Bajg Spiuni: 13/03/2019 09:49

    Të burgosurit do jenë veç nga të burgosurit gjoksgropë ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?