Ligji në Kushtetuese, profesionistët e lirë kundër tatimit: Ka fuqi prapavepruese, do shtojë evazionin dhe bizneset po mbyllen! Opozita: Goditet shtresa e mesme

26 Prill, 13:31| Përditesimi: 26 Prill, 15:33

  • Share

TIRANE- Rreth 29 mijë profesionistë të lirë janë njohur me këstet e tatimit mbi fitimin që duhet të paguajnë, për fitimet e deklaruara për vitin 2023. Por shumica prej tyre, thonë se kjo faturë nuk është ligjore, pasi është e bazuar në fitimin e vjetshëm ndërsa ligji hyri në fuqi 1 janarin e këtij viti, ndërkohë që thonë se këtë vit ata nuk e kanë të garantuar aktivitetin.

Oriola Kajo, specialiste IT: "Nuk është e garantuar që unë atë fitim do ta kryej brenda vitit 2024, pasi unë jam tatuar me një normë bazuar në vitin 2023. Punoj me kontrata të huaja që mund të jetë 1 mujore, 3 mujore apo 6 mujore, kur ajo kontratë përfundon mund të mos kem të ardhura për 6 muaj. A është kushtetuese, të tatohesh mbi një fitim që nuk e ke kryer akoma"

Erion Saraçi Ekspert Kontabël: "Ne kemi pasiguri në tregun tonë kur japim produktin, nuk e kemi të sigurt klientin dhe nuk mund të krahasohemi me të punësuarin që e ka të garantuar rrogën muajin tjetër'"

Vasilika Hysi, Avokat: "Udhëzimet e dala në zbatim të ligjit kanë fuqi prapavepruese dhe sjellin dëme në ekonominë e këtyre bizneseve dhe familjeve"

Ligji për tatimin mbi të ardhurat që bëri pjesë të taksimit me fasha të gjithë profesionistët që ofrojnë shërbime profesionale, është tashmë në dorë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kaluar në seancë publike kërkesën e opozitës për shfuqizimin e disa neneve, seancë e cila zhvillohet më 21 maj.

Teksa presin vendimmarrjen e Gjykatës avokatët shprehen të sigurt për antikushtetuetshmërinë e ligjit. Margarita Kola Avokate: Ai ka qenë një vetëdeklarim që unë e kam bërë me vullnetin tim, sepse nuk kisha asnjë detyrim. Prezumimi është komplet anti-kushtetues. Nuk mund të fillosh me një diçka e cila nuk është e saktë, dhe nuk ke dijeni nëse është e saktë, dhe mbi të të ndërtosh të gjitha deklaratat e mija që vijnë më pas.

Julian Saraçi Auditues Ligjor: "Të krahasosh një që është i punësuar që ka një përgjegjësi juridike, që rregullohet nga Kodi i Punës, me një të vetëpunësuar që ka një përgjegjësi totalisht të ndryshme të pakufizuar me pasurinë e tij personale, kjo do të thotë të krahasosh diçka të pakrahasueshme"

Rreth 11 mijë biznese tha Jorida Tabaku janë mbyllur prej këtyre fashave të larta tatimore, ndërsa eksperti Artur Papajani tregoi se si është abuzuar me fashat 15-23%.

"Një pjesë e madhe e njoftimeve që kanë ardhur kanë norma të taksave më shumë se ajo që parashikon ligji. Shumë biznese më kanë njoftuar që kanë shkuar taksat, norma e taksës 30-40% për disa kategori biznesesh. Shumë në fusha e teknologjisë së informacionit më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që një pjesë e tyre janë detyruar të mbyllur bizneset dhe të shohin mënyra të tjera se si mund të operojnë në treg duke marrë parasysh këtë normë të lartë takse", tha Tabaku.

"Një taksë zero të imponon çedukimin e taksapaguesve. Taksa në 2014 ka qenë 7.5%, pastaj në 2016 u bë 5%, dhe më pas në vitin 2021 u bë 0% dhe direkt tani në 15% dhe 23%", u shpreh Artur Papajani Ekspert Kontabël:

Efekti i kësaj takse thonë kontabilistët e avokatët është bumerang, me ndikim negativ në konsum e nga ana tjetër do të shtojë informalitetin.

Jurild Hoxha Kontabilist: "Të gjitha këto këste me atë shkallë tatimore, do të mbahen nga konsumi, pasi do ketë më pak kujdes shëndetësor, nuk do dalin në një drekë, s’do bëjnë një udhëtim"

Mirela Jorgo Avokate: "Pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve do të kalojën në evazion, do bëjnë deklarime të rreme. Ky biznese po shtyhet për tu shkatërruar ose do të emigrojnë"

Më 1 janar të këtij viti ka hyrë në fuqi ligji për tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikon që 169 profesione të lira që ofrojnë shërbime profesionale, do të tatohen me 15% për fitimin e tyre deri në 14 milionë lekë, dhe kush ka fitim mbi 14 milionë lekë tatohet me 23%. Ligji është dërguar në Kushtetuese edhe nga disa grupe të tjera interesi.

Ora 11:10
Tatimi për profesionet e lira, Tabaku: Goditet shtresa e mesme, taksë që cenon Kushtetutën

1712826650_joridatabaku.JPG

Në Kryesinë e Kuvendit, deputetja demokrate Jorida Tabaku dhe Emilia Koliqi kanë mbledhur rreth 50 profesionistë të lirë nga grupet e ndryshme të interesit për të diskutuar ligjin për tatimin mbi të ardhurat.

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e opozitës, e cila kërkon që të shfuqizohen nenet që përcaktojnë taksimin e 29 mijë profesionistëve të lirë, me pretendimin se goditet shtresa e mesme.

Në fjalën e saj, deputetja demokrate Tabaku tha se kjo taksë është vendosur në shkelje dhe në cenim të Kushtetutës. Sipas Tabakut kjo taksë godet shtresën e mesme dhe profesionistët e lirë.

Fjala e plotë Jorida Tabaku

Dje morëm një lajm të mirë që Gjykata Kushtetuese e ka kaluar fazën e Dhomës së Këshillimit, padia është pranuar dhe deri më 21 Maj do të dorëzojmë me shkrim parashtrimet për mendimet, opinionet, problematikat lidhur me zbatimin e ligjit përsa i përket tatimit të Profesioneve të Lira.

Në këto vite unë, znj. Koliqi, por edhe kolegë të tjerë të grupit parlamentar të PD-së, kemi folur për shumë çështje për taksat, sistemin tatimor por nuk ka pasur asnjë çështje për të cilën mua më kanë kontaktuar kaq shumë dhe nuk kam folur asnjëherë me kaq shumë juristë përsa i përket tatimit.

Jemi përpjekur që mos ta trajtojmë si një çështje populiste sepse jemi të gjithë profesionistë, të arsimuar mjaftueshëm që të kuptojmë që s’ka shtet pa taksa dhe askush nga ju nuk po kërkon një gjë të tillë. Por ne po kërkojmë që kjo taksë që është vendosur në shkelje dhe në cenim të Kushtetutës të paktën të dy elementëve të cilët këshilltarët e grupit parlamentar i kanë elaboruar dhe i kanë analizuar në detaje që kanë cenuar sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit. Këto duhet të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese për t’i riparë për të vendosur në mënyrë të logjikshme se si do të procedohet.

Taksa për Profesionet e Lira është shumë e debatuar sepse ky ligj është diskutuar për 1 vit në parlament. Janë dëgjuar grupet e interesit, por nuk janë akomoduar shqetësimet e tyre. Asnjë nga shqetësimet që ka ardhur nga të gjitha grupet e interesit me të cilat kemi bashkëpunuar, me këtë grup që kanë një risk të shtuar krahasuar me bizneset e tjera, nuk janë reflektuar në variantin final të ligjit dhe aq më tepër tashmë me zbatimin e ligjit pas datës 1 Prill. Kam pasur komente, mesazhe pa fund të cilat na kanë vënë në dijeni që dhe zbatimi i ligjit nuk është sipas rregullit të vënë nga vetë ligji.

Në ju jemi drejtuar Profesionistëve të Lirë, ekonomistë, kontabilist, jurist, noter, por mua më kanë kontaktuar dhe të rinj nga fusha e TIK. Të rinj që tashmë nga zbatimi i këtij ligji janë duke u penalizuar dhe nga komunikimi që kemi pasur zyrtarisht me Qendrën Kombëtare të Biznesit, të paktën në 6 muajt e fundit që nga njoftimi zyrtar, kemi 11.000 biznese të vogla që lidhen me këtë kategori të cilët janë deklaruar të mbyllur. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë, një shifër që këdo që është në vendimmarrje do ta bëntë të reflektonte, por fatkeqësisht nuk kemi pasur asnjë reflektim.

Në padinë që në kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ne kemi menduar për të mirën publike. Secili prej jush shpresoj që të na ndihmojë në këtë dëgjesë të parë edhe me elementë të tjerë të cilët në do t’i pasurojmë me shkrim deri në datën 21 Maj për t’i paraqitur në Gjykatën Kushtetuese si argumente të cilat do t’i shtohen parashtrimit fillestar që e kemi bërë.

Ndërkohë që ne çuam padinë në Gjykatën Kushtetuese, disa grupe të tjera interesi që ne kemi qenë në kontakt kanë dërguar të tjera. Avokatët, noterët dhe kontabilistët dhe auditët e miratuar, janë të paktën 4 grupe të ndryshme interesi që i janë shtuar padisë që ne shpresojmë të bashkohen në një zë dhe do të jemi të gjithë bashkë atje për parashtrimin e argumenteve.

Vendimi i gjykatës nuk është në dorën tonë, por në dorën tonë është parashtrimi i një analize sa më profesionale për të treguar që me të vërtetë ky lloj profesioni dhe kjo lloj sipërmarrje nuk mund të taksohet dhe nuk mundet që kjo lloj pune të tatohet më tepër se çdo lloj pune në Republikën e Shqipërisë.

Është e vërtetë që nga zbatimi i sistemit të taksave shumë kanë abuzuar dhe me personin fizik, shumë persona mund të jenë regjistruar si persona fizikë edhe në mënyrë abuzive, por ky nuk është faji juaj, nuk është faji jonë por është faji i sistemit që është ngritur sepse sistemi i tillë me gjashtë nivel që i ka nxitur një pjesë të mirë të individëve  të regjistrohen si persona fizikë ka krijuar informalitet dhe Drejtoria e Tatimeve e ka stimuluar vetë. Nuk ka ardhur nga asnjë nga profesionistët e lirë dhe nuk ka ardhur nga asnjë nga zanatet që ju ushtroni, por ka ardhur së pari nga padrejtësia që është vendosur në sistemin e taksave dhe nga paaftësia e Drejtorisë së Tatimeve për të zbaruar sistemin që ka nxitur informalitetin.

Kështu që këto do jenë argumentat që ne do ti shtojmë. Unë dua që të falenderoj së pari këshilltarët ligjorë të Partisë Demokratike që kanë bërë një punë shumë profesionale dhe të gjithë ato që na kanë ndihmuar gjatë kësaj kohe dhe shpresoj që kjo dëgjesa të shërbejë që ne të bashkëbisedojmë me njëri tjetrin dhe të bashkëkoordinojmë veprimet në mënyrë që deri në 21 Maj të jemi sa më profesionistë për të çuar atje zërin e të gjithë palëve të interesit por dhe për të mbledhur njëkohësisht shqetësime që lidhen me zbatimin e ligjit, t’na ndihmojë ne që së pari, çështja të analizohet sa më shpejt dhe së dyti të kemi informacion të mjaftueshëm para Gjykatës se çfarë problematikash ka ligji.

Nga data 1 Prill kur kanë ardhur njoftimet e para për bizneset, shumë më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që një pjesë e madhe e njoftimeve që kanë ardhur kanë norma të taksave më shumë se ajo që parashikon ligji. Shumë biznese më kanë njoftuar që kanë shkuar taksat, norma e taksës 30-40% për disa kategori biznesesh. Shumë në fusha e teknologjisë së informacionit më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që një pjesë e tyre janë detyruar të mbyllur bizneset dhe të shohin mënyra të tjera se si mund të operojnë në treg duke marrë parasysh këtë normë të lartë takse. Dhe të gjitha këto ne do ti mbledhim për t’i parashtruar para gjykatës.

Jam e sigurt që nuk do ketë prezantim më profesional sesa ky sepse ju të gjithë jeni së pari ushtrues të këtij profesioni, të të dy fushave që ne do përpiqemi të parashtrojmë para Gjykatës duke kërkuar njëkohësisht dhe pezullimin e ligjit që hynte në fuqi në datën 1 Prill por gjasat janë që kjo nuk do të ndodhë kështu që ligji është duke u zbatuar ndërkohë që ne flasim. Kështu që është imediate që ne të përshpejtojmë këtë fazën e parë të parashtrimit të argumentave në mënyrë që ta kemi më të thejshtë në fazat e ardhshme. Është e kotë që t’ju them ju sesa janë rritur shpenzimet, shumë biznese të vogla më kanë njoftuar që njoftimet që kanë ardhur, kanë ardhur dhe për shpenzime të rritura nga të gjithë ato që kryejnë biznes.

Ekonomistët dhe auditët kanë rritur shpenzimet e tyre normalisht sepse është rritur norma e taksës, bizneset e vogla të noterisë i kanë rritur normalisht sepse është rritur norma e taksës, pra kemi një rritje zinxhir të shpenzimeve të bizneseve të vogla si rezultat i kësaj. Të gjithë këto elementë që ne i kemi parasysh dhe e kuptojmë që kanë rritur vështirësinë e operimit të paktën këtë vit të parë. Pa dashur ta zgjas shumë unë dua tja jap fjalën koleges time zonjës Emilja Koliqi e cila është një profesioniste në këtë fushë dhe që e njeh shumë mirë dhe operimin e këtij tatimi sepse ka parë dhe zbatimin e tatimit të bizneseve të vogla duke qenë se ka operuar drejtpërdrejtë në Bashkinë e Shkodrës dhe njeh dhe fushën dhe sektorin gjerësisht. Kështu që do tja jap fjalën znj. Koliqi dhe do doja të bëjmë një bashkëbisedim të gjithë sesi të operojmë në fazat e ardhshme. Shumë faleminderit!

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Artani: 27/04/2024 07:20

    Vendosni njehere faturat per sherbimet e profesionistve te lire pastaj kerkoni taksa. Nuk vendosen taksat ne nje vend qe ekonomia eshte infomale edhe qarkullon vetem para kesh.

    Përgjigju
  • Iris: 27/04/2024 04:18

    Pse te mos paguajne?! Ketu tek ne edhe nje veprim i paligjshem taksohet.Nga nje ane te cojne ne burg,per cfare ben,nga ana tjeter edhe pse eshte veprim i paligjshem,kriminal prape e quajne te taksueshem e te cojne ne burg per mospagim taksash.Per mendimin tim, lista e atyre qe quhen /prof.te lira/ duhet zgjeruar.

    Përgjigju
    • Mondi: 28/04/2024 17:41

      Po ik o plak ku merr vesh ti. Provo te japesh sherbime ta provosh njehere a gjen dot ndonje klient ;)

    • Or tej: 27/04/2024 09:06

      Ligji flet per tatim mbi fitimin e 2024 e tutje, nderkohe qe shteti zgjohet papritmas dhe te rras 9 keste vjetore qe ti paguash paraparakisht ne 2023 dhe bazuar mbi xhiron e 2023. Pra ne vend qe ti paguash ne 2025 per xhiron e 2024 i paguan ne 2024 per xhiron e 2023. Zgjohu Iris se je person qe i kap gjerat or teeeejjjjj

  • Profesion i Lire: 26/04/2024 17:25

    A ka me maskarallek se fakti qe ne si profesioniste te lire paguajme me shume tatim se Resortet e oligarkeve, restorantet, baret e sa sa aktivitete shume me fitimprurese se ne?

    Përgjigju
  • Gjermani o Gjermani: 26/04/2024 16:17

    Pasi i rradhes... Gjermani o Gjermani

    Përgjigju
  • Lati: 26/04/2024 15:41

    Ndryresi e mafjozeve te goditet shtresa e mesme. Ketu nuk e duan ate qe ul koken dhe punon me nder, duan tia pijne gjakun. Ja prova sa e do popullin kjo qeveri.

    Përgjigju
  • Enea: 26/04/2024 14:33

    Nje maskarallik i vertete nga qeveria qe premtoi deri ne 2029 asnje ndryshim, dhe tani befas ndryshoi gjitchka me hile. Nese nuk ndryshon, atehere do ta shohim se cfare rritje cmimesh do kete dhe madje me shume evazion. Ta gezoni popull

    Përgjigju
    • Doni: 06/05/2024 11:30

      O bim Bima, nese hidrauliku, dentisti, mjeku privat, do te paguaje 15 % te fitimit te tij tatim, do te rriten ty cmimet e sherbimeve, pra nuk do fitosh gje as ti qe e promovon taksimin e hidraulikut dhe profesioneve te lira. nuk po behet i pasur hidrauliku po oligarket.

    • Bim: 27/04/2024 06:35

      Çfar evazionit ku kerkush nuk pagun asgja. Te ben future avokati? mjeku privat? dentisti? Hidrauliku? Zero zero. Ligji ndoshta nuk eshte i drejte por filloni e thirni mendjes se edhe ju duhet te pagani taksa

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?