TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe ka rrëzuar përgjimin nga policia pa lejen e prokurorisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese neni 131 i ligjit "Për Policinë e Shtetit" vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit u miratuan në nëntor të vitit 2020 nga Kuvendi me argumentin se do të shënojnë një tjetër hap në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndryshimi më i debatueshëm që në fillim ishte ai me nenin 131 të ligjit për Policinë e Shtetit. Neni 131 i mëparshmi parashikonte që kur disponohen të dhënat që një person ka kryer apo po planifikon të kryejë një krim, policia, me leje të prokurorisë, kryen përgjim të fshehtë ambiental të bisedave në vende publike ose në mjete transporti, përgjon bisedat telefonike si dhe bën fotografime të fshehta, regjistrim audio ose video etj. Ligji i miratuar ndryshoi nenin 131, duke parashikuar të drejtën e policisë për të kryer veprimtari informative-gjurmuese, edhe pa lejen e prokurorisë, por jo përgjimin e telefonatave apo në ambiente private.
Konkretisht policia, mund të mbikëqyrë lëvizjet dhe bisedat mes personave të dyshimtë në vende publike si dhe të gjurmojë ata përmes teknikave të veçanta për lokalizimin e vendndodhjes së tyre, pa lejen e prokurorisë. Po cilët personat do të gjurmoheshin pa lejen e prokurorisë dhe në çfarë vendesh? Objekt survejimi dhe gjurmimi të lëvizjeve do të ishin të gjithë personat që planifikojnë kryerjen e një krimit, atë që kanë kryer një krim dhe nuk janë zbuluar ende si dhe autorët e krimeve, të cilët kërkohen për t’u arrestuar. Mbikëqyrja lejohej vetëm në vende publike.
Kundër përgjimeve nga ana e policisë, pa urdhër nga prokuroria, ishte edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Sipas burimeve të "Report Tv", edhe SPAK kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e nenit 131 në Ligjin për Policinë e Shtetit, që i jepte të drejtë këtyre të fundit që të kryenin vëzhgime dhe survejime ambientale. Edhe në qëndrimin e SPAK, thuhej se ky nen ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut.
Vendimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:
- Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
- Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesave.
2. Shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.
3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Përmbajtja e Nenit 131 në ligjin për Policinë e Shtetit
Masa të veçanta 1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme: a) përgjimin e fshehtë ambiental dhe procedural të bisedave të personave në vende publike ose në mjete transporti; b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të personave, në përputhje me legjislacionin përkatës; c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjisla-cionin përkatës. 2. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1, të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshëm autorizimin e tyre për përdorim veçmas ose të kombinuar dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës. 3. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur si rezultat i përdorimit të këtyre masave asgjësohet, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtori i Policisë së Shtetit. 4. Kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, strukturat e policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental. 5. Rregullat teknike për realizimin e vendimit të përgjimit ambiental procedural dhe parandalues, si dhe për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impianteve stacionare të përgjimit ambiental përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Avokati i Popullit ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e këtij institucioni dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke rrëzuar përgjimin nga policia pa lejen e prokurorisë.
Me një postim në Facebook, Avokati i Popullit shkruan se neni 131 i ligjit për Policinë e Shtetit binte ndesh me Kushtetutën.
"Shfuqizimi i Nenit 131 të këtij ligji ishte kërkuar pranë Gjykatës Kushtetuese edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ndërkohë, në mbështetje të kërkesave nga Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, institucioni i Presidentit të Republikës i cili më herët kishte ushtruar kompetencën e tij me dekret për ta kthyer këtë ligj për shkak se binte ndesh me Kushtetutën, ka kërkuar shfuqizimin e nenit 6, pika 29/1 të këtij ligji", thuhet në reagim.
Po ashtu, Avokati i Popullit thekson se ky nen do të cenonte të drejtat dhe garancitë kushtetuese për shtetasit shqiptarë.
"Avokati i Popullit, si një institucion kushtetues në mbrojtje dhe garantim të të drejtave të njeriut ka argumentuar se në rastin konkret kemi një cenim të së drejtës, të garantuar nga neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e për rrjedhojë edhe cenim të të drejtave dhe garancive kushtetuese për shtetasit shqiptarë", theksohet mes të tjerash në reagimin e Avokatit të Popullit.
Ne kohen kur kishte diskutime mbi projektin e ligjit, profesioniste te se drejtes e trajtuan kete problem. Porse kasta apo "klani" i regjur e i majmur ne polici qe post 90 e ketej, ia arriten te bindin qeverine dhe deputetet se kjo ishte edhe ne favor te tyre (pasiqe garantonte kontroll pa kufij). Por me i vendosuri ne kete rast qe vete gjenerali i vetdorezuar Lleshi ne krye te ministrise ne ate kohe. Qe a me budallallekun dhe injorancen per ligjin dhe lirite a nen mentalitetin social komunist u printe barkderrave te regjur te policise. Eshte pozitive qe te tilla shkelje po shfuqizohen. Por problemi eshte me i rende se kurre me pare. Qe nje grusht individesh qe kane kapur partine me te madhe politike ne vend, pra PS, kesisoj te gjitha pushtetet, ka kete arrogance ne rritje per te miratuar ligje antikushtetuese. Pasoja eshte e rende, pasi shkelen lirite dhe te drejtat themelore te njerzve. Kush apo si do te ndalohen keto monstra? Sa turp.
Përgjigjubravo e madhe. ne shtetin e se drejtes te drejtat dhe detyrimet jane te ndara
Përgjigju