Ina Zhupa

Politikë

Ligji për zonat e mbrojtura në Kushtetuese/ Zhupa: U bë për t’i dhënë toka të reja oligarkëve, s’mund t’i lëmë brezave trashëgimi resortet

23 Qershor, 13:19| Përditesimi: 23 Qershor, 13:21

  • Share

TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese po mbahet seanca e parë për ligjin për zonat e mbrojtura, pas kërkesës së bërë nga 37 deputetë opozitarë për shfuqizimin e ndryshimeve të këtij ligji, që u fut në fuqi vitin e kaluar.

Në këtë seancë, fjalën e mori deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila e cilësoi procesin e miratimit të ligjit si antikushtetues dhe të nxitur nga interesa klienteliste.

“Drafti shkoi nga Kuvendi në qeveri, pavarësisht se nuk kishte kosto financiare, në shkelje të procedurave kushtetuese. Këshilli i Ministrave solli më pas një projektligj të ri përmes një VKM-je, i cili rrëzoi thelbin e ligjit fillestar të propozuar nga 12 deputetë. Ky version i ri kishte kosto financiare, por nuk shoqërohej me raportin e detajuar siç kërkohet nga Kushtetuta”, u shpreh Zhupa.

Sipas saj, në thelb, procesi ka anashkaluar transparencën, konsultimet publike dhe detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe të mjedisit.

“Ligji fillimisht erdhi si nismë e 12 deputetëve, që në fakt nuk e dinin as çfarë kishin firmosur. U mbajtën disa dëgjesa online, por kur drafti shkoi në Këshillin e Ministrave, ai u transformua në një ligj me kosto financiare, i cili nuk u shoqërua me raportin përkatës. U miratua në komisione pa asnjë konsultim publik, pa transparencë dhe në mungesë të një vlerësimi financiar serioz”, vijoi ajo.

Zhupa akuzoi se përmes këtij ligji, koncepti i “zonave të mbrojtura” zëvendësohet me interesa ndërtimore.

“Ky ligj fut në zonat e mbrojtura resorte me 5 yje, komplekse, aeroporte dhe autostrada, gjithçka tjetër përveç mbrojtjes. Zonat e mbrojtura nuk janë më për mbrojtje, por për ndërtime. Kjo bie ndesh me çdo parim kushtetues që garanton një mjedis të shëndetshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.”

Ajo paralajmëroi se ndryshimet ligjore synojnë krijimin e hapësirave për përfitime të oligarkëve të lidhur me pushtetin. Zhupa u shpreh se qëllimi ka qenë për të krijuar toka të reja për oligarkët, për të dhënë investime strategjike në këto zona.

“Nuk mund t’ua lëmë brezave të ardhshëm si trashëgimi një vilë, një hotel apo një resort privat në vend të një parku të mbrojtur. Ky është një ligj që i shërben interesave private të lidhura me qeverinë, dhe jo interesit publik apo standardeve europiane.”

Zhupa theksoi se ligji bie gjithashtu në kundërshtim me një sërë konventash ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe transparencën ndaj publikut, që janë po aq të detyrueshme sa vetë Kushtetuta e vendit.

“Nuk ka asnjë argument përse ky ligj duhej ndryshuar. Ishte një ligj i ri, i miratuar vetëm 7 vite më parë me asistencën e ekspertëve europianë. Nuk është ky interesi i shqiptarëve. Prandaj kërkojmë që Kushtetuesja ta rrëzojë këtë ligj, sepse nëse hyn në fuqi, Shqipëria nuk do të ketë më zona të mbrojtura, por vetëm zona të zakonshme në shërbim të privatit.”

Ligji për zonat e mbrojtura u dërgua në Kushtetuese nga ligjvënësit demokratë më 1 nëntor të vitit të kaluar. PS miratoi ligjin në Kuvend më 22 shkurt të 2024 mes kaosit të opozitës. Ai parashikon që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por që opozita thotë se rrezikon betonizimin e këtyre zonave.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?