Ligji për zonat e Mbrojtura, PD: Mbron interesat klienteliste

29 Shkurt, 13:53| Përditesimi: 29 Shkurt, 14:26

  • Share

Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Mirela Karabina akuzoi qeverinë për miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura me qëllim që të favorizohen interesat klienteliste.

Sipas saj, qeveria i ka hequr kompetencat ekspertëve për të përcaktuar se cilat janë rezervat natyrore të nevojshme për t’u ruajtur si trashëgimi.

'Ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura është një akt i rëndë i kësaj qeverie, që bëhet vetëm për interesa të ngushta dhe klienteliste, në dëm të trashëgimisë sonë kulturore, të interesit publik dhe të qytetarëve. Zhurma e shkaktuar në Parlament dhe mosfunksionimi normal i Komisioneve Parlamentare, i pamundësojnë publikut që të kuptojë se çfarë bëhet, ndaj kjo mënyrë është një e keqe që vijon prej muajsh në dobi të një grupi të vogël dhe në dëm të qytetarëve të shumtë.  

Atë çfarë do Edi Rama të arrijë, ia mundëson kjo mënyrë veprimi, e stisur nga interesa personale, ndërsa për publikun ky është një dëm i madh, i parikuperueshëm dhe me pasoja për të ardhmen. Për të kuptuar se çfarë mazhoranca ka votuar në kaosin e rrëmujës, është me rëndësi të sqarohet se qeveria i ka hequr kompetencat ekspertëve dhe studiuesve për të përcaktuar se cilat janë rezervat natyrore, të cilat është e nevojshme për t’u ruajtur si trashëgimi, por, në radhë të parë, për të siguruar jetëgjatësinë e habitateve që njerëzit i kanë ruajtur ndër shekuj.

Ndërhyrja arbirtrare e Kryeministrit dhe një grushti njerëzish për të vendosur jo vetëm fatet e specieve, por ekuilibrat mjedisore dhe urbane, është shkelje e Kushtetutës, ligjeve vendore dhe konventave ndërkombëtare. Kjo ndërhyrje cënon MAS dhe është në kundërshtim me kapitullin 27 për mjedisin, që Shqipëria ka detyrim për të përmbushur në rrugetimin e saj drejt BE-së.

Mjedisi natyror dhe urban janë hapësira dhe territore që mund të cëojne jetën, shëndetin dhe qëndrueshmërinë e një vendi. Ky vendim i paprecedent i mazhorancës socialiste, si qëllim të vetëm ka kthimin nga territore të mbrojtura në TROJE për ndërtim, në shërbim të klientëve të saj, të cilët, lekët që marrin nga qeveria, i investojnë për të mbajtur gjallë konfliktin në radhët e opozitës.  

Akti i qeverisë nuk është vetëm i rëndë, por ai cënon edhe qëndrueshmërinë afatgjate të mjedisit dhe të trashëgimisë kulturore. Ai i shërben vetëm një grushti të vogël interesash, të lidhur ca me qeverinë ca me ata që në Parlament i mundësojnë qeverisë t’i kalojë këto ligje pa debat dhe pa diskutime.

Partia Demokratike është e vendosur, ndaj në momentin e parë që ajo do të vijë në pushtet, do ta shfuqizojë këtë ligj. Zotohemi se subjektet që do të përfitojnë nga ky ligj, do t’i nënshtrohen praktikave më të avancuara të ligjit antimafia. Ky është një zotim publik që Partia Demokratike e Shqipërisë ndërmerr dhe do të bëhet realitet në momentin e parë të mundshëm.'- tha Karabina.

Socialistët kaluan me 74 vota pro ligjin për “Zonat e mbrojtura”. Teksa në seancë votohej jashtë sallës së parlamentit një grup aktivistësh të shoqërisë civile dhe deputetësh të opozitës protestonin.

Pas votimit një reagim erdhi edhe nga delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit dhe garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.

Menjëherë pas deklaratës së tyre, erdhi edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. u shpreh Rama në mbrojtje të ligjit.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 01/03/2024 02:16

    /Te paret ne rajon per sasine e zonave te mbrojtura/!! A nuk na thoni z.Rama si do t'i mbroni zonat e mbrojtura pas keti ligji klientelist? Cfare task force do te vendosni qe ligji te zbatohet nje per nje,si ajo qe beri nje sy qorr kur oligarket shtonin kate me teper se sa ua lejonte projekti tek perbindeshat ne qender te Tiranes? Si do t'i mbroni zonat e mbrojtura,si bregdeti qe cdo vit shkulen ndertimet e paligjshme dhe vitin tjeter mbijne prape?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?