1 vit përpjekje për të shkarkuar presidentin e republikës, socialistët e përmbyllën me një raport këshillues. Por ndonëse “i falën” postin, shumica qeverisëse po kujdeset t'i kufizojë kompetencat Ilir Metës nëpërmjet një ligji organik.
“Thelbi i asaj që ne presim shumë shpejt të draftojmë do jetë një ligj organik që i takon sqarimit në detaje të teknikaliteteve të veprimtarisë kushtetuese të presidentit të republikës. Kompetencat e presidentit do t'i shohim si në nivelin kushtetues ashtu dhe në harmonizimin e plotë të elementëve që do ketë ligji për organizimin e institucionit të presidentit dhe ligji kushtetues nga ana tjetër”, shprehet deputeti Adnor Shameti.
Sipas deputetit socialist, ligji organik ndër të tjera do konstatojë te e drejta e presidentit për të dekretuar ose refuzuar dekretimin e një ministri, e drejta e presidentit për të ndryshuar datën e zgjedhjeve apo për mos thirrur në betim anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, precedentë të cilët kanë sjellë jo pak përplasje mes Kuvendit dhe Presidencës.
“Ky është thelbi i asaj që do përmbajë ligji organik i institucionit të presidencës. Kjo është gjëja më e rëndësishme, me qëllim që të implementohen në mënyrën e duhur ajo që është parashikuar në Kushtetutë, siç ishte rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që Komisioni i Venecias që na dha të drejtën për nismën ligjore por tha nga niveli i një ligji organik të ngrihet në nivelin e një ligji kushtetues”, tha Shameti
Grupi i punës për të hartuar këtë ligj pritet të ngrihet nga java e ardhshme.
“Në dijeninë time që javën tjetër do përcaktohet dhe në kalendarin e punimeve të Komisionit të Ligjeve ngritja e grupit të punës për hartimin e këtij ligji”, shprehet Shameti.
Sipas Adnor Shametit nuk është hera e parë që socialistët marrën nismën për të realizuar një ligj organik për presidentin, një përpjekje që sipas tij dështoi për shkak se kishte të përcaktuar më shumë elementë të trajtimit financiar.