Volodymyr Zelensky

Bota

Ligjvënësit ukrainas mbështesin Zelenskyn pasi Trumpi e quajti diktator

25 Shkurt, 15:18| Përditesimi: 25 Shkurt, 15:21

  • Share

Parlamenti i Ukrainës, në një shfaqje simbolike të mbështetjes, ka miratuar një rezolutë për të rikonfirmuar legjitimitetin e presidentit Volodymyr Zelensky si udhëheqës i shtetit, pas pikëpyetjeve të ngritura nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia lidhur me ligjshmërinë e mandatit të tij.

Rezoluta vë në pah tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit pasi presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar e quajti Zelenskyn “diktator pa zgjedhje” për shkak të dështimit të mbajtjes së zgjedhjeve në kohë lufte dhe e akuzoi Kievin për nisjen e luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se nuk mund të ketë bisedime të paqes me Ukrainën sepse Zelensky nuk është udhëheqësi legjitim i shtetit për shkak se mandati i tij presidencial fillimisht ishte paraparë të përfundonte në maj të vitit 2024.

Megjithatë, sipas Kushtetutës ukrainase, Zelensky mbetet në detyrë si president i vendit për shkak se shteti shpalli gjendje lufte për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, një aspekt që e përmendën ligjvënësit ukrainas kur e miratuan rezolutën në Parlament, që njihet si Verkohona Rada, më 25 shkurt në Kiev.

“Gjendja e luftës në Ukrainë, e shpallur në përgjigje të pushtimit në shkallë të gjerë të nisur nga Rusia, nuk lejon zgjedhje sipas Kushtetutës ukrainase. Në të njëjtën kohë, populli ukrainas është i bashkuar në mendimin se zgjedhje të tilla duhet të mbahen pasi të përfundojë lufta”, u tha në rezolutë.

Gjendja e luftës u shpall nga Kievi një ditë pasi Kremlini nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Zyrtarët ukrainas vazhdimisht kanë përmendur se aspektet praktike, po ashtu edhe ato ligjore, e bëjnë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve.

Ata kanë theksuar se shqetësimet e mëdha për sigurinë, duke argumentuar se vendvotimet e mbushura me njerëz do të ishin caqe të lehta për ushtrinë ruse e cila ka sulmuar vazhdimisht objektivat civile, përfshirë shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit gjatë tre vjetëve të fundit.

Për më tepër, miliona ukrainas janë larguar nga shteti për shkak të luftës dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje duhet të merret parasysh, thanë zyrtarët.

Këto shqetësime janë mbështetur nga dhjetëra grupe të shoqërisë civile, të cilat javën e kaluar lëshuan një deklaratë të përbashkët ku u tha se nuk ka mundësi që të mbahen zgjedhje në rrethanat aktuale.

“Vetëm pas përfundimit të luftës dhe arritjes të një paqeje të qëndrueshme... do të jetë e mundshme që të organizohen zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, thanë ata në deklaratën e përbashkët.

Zelensky, i cili nuk ka treguar nëse do të garonte në zgjedhje, ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen këtë vit nëse hiqet vendimi për gjendjen e luftës, diçka që do të ishte e mundur të ndodhte pasi të arrihej një marrëveshje për ndaljen e luftimeve.

Bisedimet për një marrëveshje të paqes janë intensifikuar javëve të fundit edhe pse është e paqartë se si do të arrihet paqja.

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe rusë kanë mbajtur bisedime në Arabinë Saudite javën e kaluar lidhur me përfundimin e luftës. Këto ishin bisedimet e para formale të nivelit të lartë mes Uashingtonit dhe Moskës që nga nisja e luftës në Ukrainë më 2022.

Pavarësisht disa sigurive dhe thirrjeve nga udhëheqësit evropianë që zyrtarët ukrainas të përfshihen në negociata, Ukraina u la jashtë këtyre bisedimeve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, më 24 shkurt për Fox News pas takimit me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë deklaroi se një armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet “në javët në vijim”.

“Pasi bisedova me presidentin Trump, unë plotësisht e besoj se ka rrugë përpara”, tha Macron./ REL

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 25/02/2025 16:06

    Duhet te votoje populli dhe jo parlamenti sepse dihet qe ata jane bashke keshtu qe ajo vote ska vlere fare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?