Pritej të vendosej drejtësi, por vendimi i gjykatës në gjyqin ndaj oficereve të policisë që vranë gruan me ngjyrë Breonna Taylor, ka shkaktuar trazira dhe protesta të shumta në Louisville të SHBA-ve.
Sipas informacioneve, gjatë trazirave janë plagosur me armë zjarri dy policë por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet kanë vendosur ndërkohë gjendjen e jashtëzakonshme por shpallja e pafajësisë për oficerët ka shkaktuar protesta edhe në Nju Jork, Uashington, Atlanta dhe Çikago.
Më 13 mars të këtij viti, 26 vjeçarja Taylor, punonjëse spitali, u qëllua me armë disa herë nga tre oficerë që hynë në shtëpinë e saj pas mesnatës me pretendimin se kishin informacionë për drogë, por sipas të dhënave viktima nuk ka patur të shkuar kriminale.
Pas ekspertizë u arrit në përfundimin se gruaja kishte marrë 6 plumba por vetëm njëri prej tyre i kishte shkaktuar vdekjen.
Gjatë procesit gjyqësor, oficeri Brett Hankison u akuzua, jo për vdekjen e Taylor por për sulm të paarsyetuar dhe të rrezikshme në banesën e një fqinji të viktimës në Louisville kurse dy oficerët të tjerë nuk u përballën me akuza. Familjarët dhe aktivistët kërkonin që të tre personat të akuzoheshin për vrasje.
Vrasjet e personave me ngjyrë dhe të paarmatosur nga ana e policisë kanë ngjallur zemërimin e të gjithë komunitetit me ngjyrë në SHBA dhe më gjerë, të nxitura veçanërisht nga vdekja para disa muajsh e afrikanoamerikanit George Floyd në Minneapolis .