Boboshtica është një fshat, sot i humbur e veç me baltë e me pleq që s’dinë ç’janë. Fshatit i ka mbetur veç fama e dikurshme e njerëzve me shkollë që nxirrte dhe e pathosit patriotik që mbartëte. Sot i ka humbur të gjitha dhe nuk dinë më as se çfarë janë. Shqiptarë jo e jo s’duan, po pastaj një here bëhen për grekë, një herë për bullgarë, pastaj prapë grekë po ju kthyen pensionet. Po nejse, se s’është kjo puna që më solli në mëndje Boboshticën.
Duke rrëmuar sot paradite në tregun e vjetërsirave, ndër ca letra të vjetra gjeta këtë fletore. Është e vitit shkollor 1941-42. Me shqiponjë në ballë dhe e porositur enkas me reklamën e një dyqani në Boboshticë. Edhe nxënësja është boboshticare, Vasilika L. Xhara. Xharot janë një fis i vjetër boboshticarësh, nga të cilët kam pasur mikun tim të ndjerë, filatelistin e shquar Niko Xharo.
Fletore në italisht e nxënëses boboshticare në 1941-42, Vasilika L. Xhara
Po Lili Marlen ç’hyn këtu? Lili Marelen është një nga më të famshmet këngë dashurie të kohës së Luftës II Botërore, që u përhap pa dallim e ndalim përmes fronteve të të gjitha palëve. E këndonin nëpër llogore mes shiut baltës e plumbave, njësoj ushtarët gjermanë e anglezë, rusë e italianë, veçan në variantin e kënduar nga Marlene Dietrich.
E këndonte edhe Vasilika jonë në Boboshticën e largët. Aso kohe s’kishte as ipod e as celular, as youtube e as genius.com. Po prapë edhe atje në Boboshticën e largët vajzat dëgjonin muzikë nga radioja e dashuronin përmes teksteve të këngëve, që i shkruanin në fletore siç i dëgjonin.
Eshtë e jashtëzakonshme ta ndjekësh këngën në variantin italisht dhe të shoqërosh fjalët sipas shkrimit të vajzës së re shqiptare. Duket sikur ngjallen njeherësh të gjithë edhe Lili Marlen edhe Vasilika, edhe Marlene Dietrich dhe, mbi të gjitha edhe ajo, Shqipëria e vjetër, fine dhe elegante që s’është më…