E ardhmja e Edon Zhegrovës te Lille është në një pikë kthese, ndërsa interesimi për anësorin shqiptar të sulmit po rritet ndjeshëm në prag të merkatos së verës. Sipas raportimeve të “Le Petit Lillois” në Francë, Napoli ka bërë një ofertë zyrtare prej 12 milionë eurosh për kartonin e 26-vjeçarit, por ajo është refuzuar nga drejtuesit e klubit francez.
Lille e vlerëson më lart kartonin e Zhegrovës dhe ka vendosur një çmim minimal prej 20 milionë eurosh, shumë larg ofertës fillestare të klubit italian. Pavarësisht mungesës së tij në fushë për shkak të një lëndimi, klubi nuk ka ndërmend të bëjë lëshime, edhe pse Napoli po përpiqet të përfitojë nga rrethanat për ta transferuar me një çmim më të ulët.
Zhegrova ka edhe një vit kontratë të mbetur me Lille, por ka bërë të ditur se nuk do të rinovojë, duke sinjalizuar qartë një largim të mundshëm këtë verë. Drejtuesit e klubit francez janë të vendosur që të përfitojnë maksimalisht nga shitja e njërit prej talenteve më të spikatur të skuadrës.
Para dëmtimit Zhegrova ishte në një formë të shkëlqyer, duke regjistruar 8 gola dhe 2 asistime në 21 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Paraqitjet e tij e kanë bërë objektiv jo vetëm për Napolin, por edhe për klube të tjera evropiane që po e ndjekin me vëmendje situatën.
Merkatoja pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës.
Komente
