Në fjalimin e parë si kryetare e Kuvendit, Lindita Nikolla, u shpreh se do të jetë e angazhuar që Kuvendin e Shqipërisë ta kthejnë të gjithë së bashku në një pasuri publike, e jo një problem për publikun. Teksa mori detyrën si kryetare tha se duhet të jemi të ndershëm më njëri-tjetrin, nëse duam që të jemi të ndershëm më Shqipërinë.
'Faleminderit. Të dashur qytetarë shqiptar. E nderuar drejtuese e seancës. Të nderuar kolege e kolegë deputetë. Të jem sot para jush, para popullit shqiptar, për të qenë e para në Kuvendin e Shqipërisë, është një nder që nuk thuhet dot me fjalë. Përkushtimi ndaj Republikës, Kushtetutës dhe ligjit kanë qenë përherë detyrë për mua. Sot bëhen përgjegjësi ende më e lartë. Sot marr një angazhim të fortë, por të sigurt, për të drejtuar punën tonë të përbashkët me debat, por jo ngritje, bashkëpunim, e jo përçarje. Dua të falënderoj zotin Ruçi për modelin që krijoi në karrierën politike.
Ky Kuvend është rezultat i zgjedhjes së lirë të zgjedhjes së 25 prillit. Shifrat dhe faktet zgjedhore, e madje as përkatësia ime politike nuk do të jenë ylli i karvanit në detyrën që marr përsipër. Për mua pakicën dhe shumicën do i dallojnë numrat. Bashkë Kuvendin duhet ta bëjmë një pasuri publike, e jo një problem për publikun. Të mos kërkojmë përgjigje të majta apo të djathta, por të drejta. Në këtë sallë armiku s’jemi ne. Ne jemi individë me pikëpamje të ndryshme dhe të kundërta.
Opozita është një mundësi për të kontrolluar shërbyesit publik, dua të theksoj se opozita do të ketë hapësira të plota për të kontribuar në qeverisje. Nëse do të ndjeheni të penguar në ushtrimin e këtyre përgjegjësive demokratike, unë do të jem në krahun tuaj. Duhet të jemi të ndershëm më njëri-tjetrin nëse duam që të jemi të ndershëm më Shqipërinë. Kuvendi do të vazhdojë që të kontribuojë për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave me BE-në.
Kuvendi në vijim të kuadrit ligjor do të vijojë me përpjekjen që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë edhe shqiptarët e diasporës. Shqipëria do të vijojë të jetë shembulli i një vendi solidar e mikpritës për njerëzit që rrezikohen nga lufta. Unë kam besim se në realizimin e këtyre qëllimeve Kuvendi i Shqipërisë nuk do të jetë vetëm. E djeshmja iku, e nesërmja akoma s'ka ardhur, kemi vetëm të sotmen e lë t'ja fillojmë. Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët.'- tha Nikolla.
Lajmi kryesor:
Betohen 140 deputetët, Lindita Nikolla zgjidhet kryetare Kuvendi me 79 vota pro e 4 kundër! Përçahet aleanca opozitare në 'vendimin e parë', PD gris fletët e votimit, LSI voton kundër! Rama mbledh fletët e grisura
M.Q.//ReportTv.al