TIRANE - Me të mësuar se Thumana ishte kthyer në një vend lufte nga 30 sekondat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, Sulë Cara ka telefonuar kushërinjtë e tij që jetonin në pallatin e rrënuar 5 katësh, por askush nuk i është përgjigjur. Ka marrë menjëherë makinën dhe është nisur fluturimthi me shpresën se njerëzit e tij të afërt do të jenë gjallë. Në këtë rrëfim për Report Tv, punonjësi i policisë na tregon momentet e trishta në operacionin e vështirë të kërkim-shpëtimit nën gërmadhat në Thumanë.
“I kam bërë një telefon Albertit në Thumanë, nuk na është përgjigju dhe këtu filluar dyshimet e para. Dhe menjëherë jam nisur për në Thumanë. Kisha një farë frike dhe kështu shkoj. Arrita në orën 5:30 minuta. Aty ishte shemb banesa, ishte vendosur nga strukturat e policisë perimetri i sigurisë. Kërkova të futem brenda, me idenë që aty kam 9 pjesëtarë të familjes, 6 në katin e pestë, Alberti veti i gjatë, ndërsa nusja e xhaxhait ishte në katin e parë dhe kam shkuar drejt derës ku ishte nusja e xhaxhait në katin e parë. Aty kam dëgjuar zërin e Linditës, e cila falë Zotit për momentin që flasim është në Spitalin Ushtarak në gjendje të përmirësuar dhe më njohu nga zëri. I thashë “Lindita qëndresë”. “Sulë”, -më tha, “kam edhe Sadjanën këtu dhe mamin. Ju lutem bëni diçka”. “Do bëjmë përpjekjen maksimale, mos ki merak”, -i thashë. Gjatë kohës kur erdhën trupat e kërkim-shpëtimit pastaj, në orën 7:20 në momentin që ne mendonim se do të bëhej ndërhyrja e parë, ka qenë një tjetër tërmet aty, ku ka qenë një katastrofë e vërtetë, është shemb banesa, është bërë njësh. Pasi kanë filluar procedurat e shpëtimit të cilat zgjatën vërtetë shumë tre ditë sepse po punonin me kujdes maksimal me idenë që të paktën që mos bëheshin më pjesë, pot ë ishte ndonjë gjallë dhe kanë punuar dhe u jam shumë mirënjohës qoftë strukturave të vendit edhe të shpëtimit të huaj, kanë bërë një punë e cila ka qenë vërtetë në risk për jetën sepse tërmetet ishin në mënyrë të tillë që e bënin shumë të vështirë ndërhyrjen dhe kjo ka qenë një nga arsyet që zgjati gati rreth tre ditë kërkimi dhe ditën e tretë i kemi nxjerrë, të paktën pjesëtarët e familjes Cara”.
Familja Cara pësoi tronditjen më të madhe nga tërmeti që mori 24 jetë në Thumanë. Familja e kushëririt të tij, Alberit, u shua. Bashkëshortja, Fatmira, tre fëmijët e saj, Hasani që një ditë pas tërmetit do të festonte 19-vjetorin, Almiri me të fejuarën e tij nga Korça, Stela, dhe vajzën, Elisën. Fati deshi që me Albertin dhe vajzën e xhaxhait të tij, Lindita Carën, të ndodhte mrekullia, e të dilnin gjallë nga rrënojat pas orëve të tëra kërkimi. Por askush prej tyre nuk e di ende se tragjedia që mori 51 jetë ka shuar edhe të dashurit e zemrës.
“Nga 9 pjesëtarë të familjes, Zoti kështu e gjykoj, dy me na i falë 7 me na i marrë. Alberti është nisur menjëherë në spitalin Bari të Italisë. Është nën kontrollin e rreptë të mjekësisë. Lutemi Zotit që të paktën të na shpëtojë pa ndonjë problem tjetër shëndetësor se do të na e rriste shkallën e vështirësisë për shërbimin. Gjithashtu edhe Lindita është në Spitalin Ushtarak, është në gjendje të përmirësuar dhe më e vështira është sepse qoftë Alberti, qoftë Lindita nuk kanë asnjë lloj informacioni për çfarë ka ndodhur me familjarë të tyre”.
Përtej dramës që tërmeti i shkaktoi familjes Cara, tabloja është edhe më e trishtë për nënën e Albertit, dhe dy vëllezërit e tij që jetojnë në Tiranë mes mjerimit. As nënës invalide nuk kanë guxuar ende t’i tregojnë se nusja e saj, nipërit e mbesat, nuk janë më në këtë jetë.
“Taulanti, vëllai i madh i Albertit dhe Shkëlqimi, vëllai i vogël i Albertit jetojnë në Tiranë dhe Qeqina, e cila ka punuar tërë jetën si mësuese është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Aktualisht e kemi invalide, është me karrocë. Të dy çunat po bëjnë një punë të jashtëzakonshme me të, nuk ka asnjë dijeni edhe ajo për çfarë ka ndodhur as me Albertin as me Anthin. Janë në një gjendje, jetojnë në një ndërtesë të vjetër e cila mendoj se duhet parë. Ne si familjarë të familjes Cara dhe me fisin Cara kemi hapur një numër llogarie vetë nga pjesa e lidhjeve tona miqësore dhe ai kontribut i cili do të mblidhet do të shkojë për familjen e Albertit dhe për familjen e Linditës. Kërkohet një ndihmë, aq sa mundeni, ta ndihmojmë njëri-tjetrin në këto ditë të vështira sepse shqiptari ka një gjë të mrekullueshme, në ditë të vështira bëhen të gjithë bashkë, aq sa munden, brenda mundësive një ndihmë sado e vogël do të jetë jashtëzakonisht shumë e madhe për familjen tonë”.
Bashkë me familjen e Albert Carës, gjetën vdekjen nën rrënojat e pallatit, edhe nusja e xhaxhait, Anthi Cara 72 vjeçe, së bashku me mbesën, Sadajanën, 21 vjeç, vajza e Lindita Carës, që tashmë fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pa ditur ende se nuk do të ketë më mundësi të përqafojë të bijën dhe nënën e saj.
NGUSHLLIME ...!
Përgjigju