Pandemia COVID-19 nuk ka tkurrur vetëm të ardhurat buxhetore por edhe numrin e lindjeve në vend. Në vitin e kaluar lindën 28,075 foshnje, numri më i ulët që nga viti 1990, kohë kur kishin lindur 82 mijë fëmijë. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin e kaluar në vend janë regjistruar 486 lindje më pak se në vitin 2019, kur lindën 28,561 bebe.
Sipas statistikave të INSTAT, vetëm në tre qarqe ecuria e lindjeve ka qenë pozitive, edhe pse rritja e lindjeve është minimale krahasuar me vitin 2019. Konkretisht në Tiranë u regjistruan 66 lindje më shumë, në Lezhë 41 lindje më tepër dhe në Shkodër lindën 7 foshnja më shumë se në vitin 2019.
Ndërsa në të 9 qarqet e tjera treguesit janë në rënie. Lindshmëria më shumë ka rënë në Kukës me 233 lindje më pak, e ndjekur nga Vlora me -119, Berati me -99, Durrësi me ulje prej 75 lindjesh dhe Dibra me 67 lindje më pak.
Për ekspertët shkak për uljen e lindshmërisë në këtë nivel është pasiguria për të ardhmen që vijon të shkaktojë pandemia. Sipas tyre për të stimuluar rritjen e lindjeve duhet që të jepen bonuese mujore kryesisht për familjet e reja, të hartohen politika për të ndaluar emigrimin si dhe ti të rritet kreditimi ndaj familjeve.
Numri më i ulët i lindjeve që prej vitit 2011 është në qarkun e Gjirokastrës dhe Kukësit. Konkretisht në rrethin Gjirokastër janë regjistruar 504 lindje dhe në Kukës 870 lindje, në vitin e kaluar.