Lindjet në Shqipëri, niveli më i ulët prej 60 vitesh

8 Mars 2020, 21:58| Përditesimi: 8 Mars 2020, 21:59

  • Share

Në Shqipëri lindjet kanë shënuar pikën më të ulët që prej 60 vitesh, duke rënë në 1.37 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese, nga 2.1 që është kufiri i nevojshëm për ruajtjen e popullsisë. Ekspertët përmendin disa shkaqe, mes tyre emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese, mungesën e sigurisë në punë për gratë, pagesat e tyre informale, dhe kushtet e pamjaftueshme ekonomike. Zyrtarët thonë se i kanë analizuar shkaqet dhe se kanë marrë disa masa, me qëllim nxitjen e lindjeve, të cilat synojnë fuqizimin ekonomik të gruas dhe mbrojtjen e saj në vendin e punës, të gjithsesi ende s’kanë filluar të japin efekt. Lindshmëria në Shqipëri është një nga problematikat më të forta që shoqëron proceset demografike. Që prej vitit 90 lindjet kanë rënë me 65% dhe që prej 19 vitesh ato janë nën kufirin 2.1 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese, që është dhe kufiri i nëvojshëm për ruajtjen e popullsisë. Edhe vendet Europiane dhe të rajonit janë prekur nga ky fenomen, por specialistët vërejnë së situata në Shqipëri është shembulli më i deformuar i problemit të lindshmërisë. Përtej efektit të jetës urbane dhe prirjes për të patur një familje të vogël për një jetë më komode, të orientuar drejt karierës, ka dhe probleme tipike shqiptare.

“Këtu mund të përmendja ritmin e lartë të emigracionit të popullatës në moshë riprodhuese. Natyrisht që kjo ka ndikuar në uljen e ndjeshme të lindjeve në Shqipëri. Ndikim ka patur edhe shtyrja e ndjeshme e moshës së martesës. Dikur, në dy ose tre dekada më parë, vajzat 22-25 vjeç e kishin kryer lindjen e parë. Sot ne kemi vajza që edhe pasi kanë kaluar të tridhjetat, akoma nuk e kanë bërë lindjen e parë”, shprehet Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, eksperte e shkencave sociale.

Ermira Çausholli, me profesion gazetare, është nënë e 4 vajzave. Ajo ja ka dalë mes vështirësive të jetë nënë dhe grua nëkarierë, ndaj dhe është kritike për politikat e ndjekura ndaj gruas në Shqipëri.

“Asnjëherë politikat nuk e kanë ndihmuar gruan, që të jetë një nënë e denjë përballë fëmijëve dhe grua e dobishme në shoqëri. Është për të ardhur keq, që në momentin, që një grua është në marrëdhënie pune dhe sapo rrethi drejtues merr vesh shtatzaninë e saj, fillojnë e shohin si një gjë që nuk do të ketë më vlerë, dhe që nuk do të jetë më aq efiçente në të ardhmen”, thotë Ermira Çausholli, gazetare.

Zyrtarët thonë se i kanë ndjekur dhe analizuar problemet mbi lindshmërinë dhe se kanë kanë marrë disa masa, siç është bonusi i bebeve 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për të dytin dhe 1200 për të tretin, që sipas tyre ka filluar të japë efekte. Po ashtu dhe përfitimi i lejës së barrë lindjes për gratë që nuk kanë qenë në mardhënie pune. Ato përfitojnë nga sigurimi i bashkëshortëve. Edhe trajtimi i grave në vendin e punës gjatë shtatzanisë ka marrë vëmendje megjithëse zyrtarët janë të vetëdijshëm që ende ka probleme duke veçuar hendekun me grave dhe burrave në paga, apo sigurimi i grave jo me pagën reale.

“Edhe ndryshimet që kanë ndodhur në Kodin e Punës në disa drejtime janë të lidhura direkt me mbrojtjen e nënës gjatë periudhës së shtatzanisë dhe gjatë periudhës së lejës së barrëlindjes dhe pas lindjes. Punëdhënësi duhet të plotësojë detyrimet kontraktuale ndaj punëmarrësit. Natyrisht ka penalitete, por përmirësimi vjen kur e gjithë shoqëria ngre zërin”, thotë Merita Xhafaj, eksperte në Ministrinë e Shëndëtetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Për ekspertët rënia e lindshmërisë në vend, lidhet në vijimësi me mungesën e politikave sociale, të mbështetjes së grave me kopshte çerdhe, me mungesën e kushteve në punë dhe të orareve të reduktuara për gratë pas lindjes, për t’u ndalur tek faktorët ekonomik.

“Faktorët ekonomikë prekin një shtresë të gjerë të popullsisë përsa i përket riprodhimit, pamundësia për të siguruar minimumin jetik, apo nevojat bazë të fëmijëve që ata sjellin në jetë ka ndikuar ndjeshëm në uljen e numrit të fëmijëve”, thotë Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, eksperte e shkencave sociale.

Problemet ekonomike dhe sociale sipas mjekëve janë shpeshherë dhe arsyet e ndërprerjes se shtatzanive nga gratë, të lejuara me ligj në vitin 95, brenda javës së 12, megjithëse numri i tyre ka ardhur në rënie të vazhdueshme.

“Një aspekt është i lidhur më tepër me moshën e re. Janë të papërgatitura për të qenë nëna. Arsyet e tjera lidhen me mundësitë ekonomike, pasi ideja e sjelljes në jetë të një fëmije megjithë përkushtimin dhe vëmendjen që do marrë ai, i gjen të papërgatitura. Një aspekt tjetër është gjithashtu dhe gruaja në karierë”, thotë Besjona Kodra, Mjeke Obstetër Gjinekologe.

Ermira Çausholli thotë se kur nuk mundësi ekonomike për të sjellë në jetë një fëmijë është një fatkeqësi që i kalon kufijnë e familjes, prek gjithë shoqërinë. Ajo sjell shembuj se si po stimulohen lindjet në vende të Europës qëndrore.

“Bota i ka rregulluar gjërat. Në Hungari, shteti për fëmijën e katërt të heq komplet taksat, detyrimet, tatimet për gjatë gjithë jetës. Ndërkohë këtu bëhen përpjekje, por nuk janë në harmoni, me një sërë masash apo më plane pilote, të cilat janë shumë të domosdoshme që gruas t’i japin vendin, peshën dhe dinjitetin e duhur”, thotë Ermira Çausholli, gazetare.

Zyrtarët thonë se janë hartuar disa politika që lidhen më nxitjen e punësimit të grave siç janë ndërmarrjet sociale, fuqizimi ekonomik i tyre, bonuset e qirave të shtëpive për çifet e reja, apo dhe nisma e fundit për riaktivizimin e komitetit kombëtar të shëndetit riprodhues.

“Të gjitha këto politika synojnë stabilitet në lindshmëri duke patur në fokus familjen e re dhe nënat e reja në mënyrë të veçantë”, thotë Merita Xhafaj, eksperte në Ministrinë e Shëndëtetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në vitet 60 një grua në moshë riprodhuese kishte mesatarisht 6 fëmijë, më pas rënia vijoi me një trend linear. Në vitet 70 ra në 5.2 fëmijë për grua, në vitet 80 në 3.6 dhe në vitin 1990 në 3 fëmijë për një grua. sot është 1.37, pra nën kufirin 2.1që është dhe niveli inevojshëm për të ruajtur popullsinë. Rënia e lindshmërisë është një prej faktorëve kryesore të tkurrjes dhe plakjes së popullisë në Shqipëri. Mjaft organizata janë aktivizuar në mbrojtje të gruas, por problemet vijonë të jenë të thella dhe sfiduese si për shtetin ashtu dhe për shoqërinë./VOA

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?