‘Lindur së prapthi’, Rita Petro në Panair me roman të ri, një rrëfim i sinqertë prej fëmijërisë: E kam shkruar për gratë e familjes sime! Prindërit do ma pranonin

20 Nëntor 2022, 11:10| Përditesimi: 20 Nëntor 2022, 11:26

  • Share

TIRANË- Një rrëfim i sinqertë e i guximshëm, ku Rita Petro, përshkon përmes letërsisë duke devijuar nga rrjedha autobiografike, jetën e saj prej fëmijërisë. Një zgjedhje, siç thekson, jo për të shpalosur historinë e brezit të saj në diktaturë, por për të ndriçuar mendimet e errëta. Romani “Lindur së prapthi” tërheq vëmendjen e lexuesve në këtë Panair të 25-të të Librit.

“Edhe pse në realitet unë vërtetë kam lindur për së prapthi, gjithmonë e kam dëgjuar këtë shprehje nga familja ime, ‘ je së prapthi’. Së prapthi, në kuptimin që shkon kundër rrymës”, thotë poetja e botuesja Rita Petro, autore e romanit.

E pakompromis për lirinë e saj, që në fëmijërinë e hershme, Petro e has të ngjashme qasjen e bijës së saj, ndaj jetës. Imazhi i së cilës shfaqet në kopertinën e librit.

“Kjo më ka ndodhur që kur kam qenë e vogël! Kam pasur një fantazi dhe imagjinatë të pasur por që gjithmonë kërkoja psenë e gjithçkaje. Dhe po kështu është edhe vajza ime...”, shton më tej.

Ia dedikon veçmas asaj këtë roman, krahas grave të tjera të familjes.

“Jemi gra të forta në familje dhe për këtë gjë unë do të falënderoja në fakt dhe tim atë, pavarësisht se figura e tim eti pasqyrohet në të dyja anët, edhe ajo pjesa autoritare e përshkruar me ironi, por edhe si një Zot dhe Perëndi... që ne fillojmë kur rritemi i tradhtojmë nuk i shikojmë më si Zot si Perëndi. Sepse gjithmonë prindërit i idealizojmë. Kur rritemi nuk i shikojmë më të tillë. Kam dashur ta jap këtë pjesën e familjes në kuptimin më të sinqertë dhe siç është në të vërtetë duke iu larguar sentimentalizmit. Unë prindërit nuk i kam më por jam e bindur që edhe po të ishin gjallë do ma pranonin këtë përshkrim që u kam bërë të dyve”, thotë më tej Petro.

Nuk përdor emra real në rrëfim, siç pohon, e shumë ngjarje ia ngarkon personazhit kryesor. Provokimi, humori, episode reale të përcjella përmes fantazisë, duke i përcjellë të ‘gjalla’ imazhet, edhe të një kohe tjetër, përshpejtojnë ritmin e leximit në këtë roman, që nuk i përket botimeve së shtëpisë së saj botuese.

“Unë kur nisa të shkruaja nuk kam pasur shtëpi botuese, dhe kësaj here doja ta ndieja atë ndjesi, të isha vetëm autore... Ndjeva vërtet një përkushtim sepse erdha në një shtëpi botuese prestigjioze, që ka shumë autorë.... Është një ndjesi tjetër!”

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?