Një zbulim që pritet të ndryshojë hartën arkeologjike të Europës ka dalë në dritë në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit. Një bashkëpunim mes arkeologëve shqiptarë dhe atyre zviceranë ka identifikuar vendbanimin më të vjetër të dokumentuar ndonjëherë në kontinent, që daton nga periudha 8000 deri në 4000 vjet para erës sonë.
Punimet arkeologjike po zhvillohen në zonën e Buqezës, ku ekipi kërkimor i Universitetit të Bernës dhe specialistë shqiptarë janë angazhuar në gërmime intensive si në tokë, ashtu edhe nënujor, për të zbuluar gjurmët e jetës së hershme në këtë territor.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, gjatë një vizite në terren, vlerësoi përkushtimin e palës shqiptare dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për shkencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo theksoi se kjo është një nismë shkencore e Universitetit të Bernës, e mbështetur nga Zvicra si pjesë e përkushtimit të saj për zhvillimin në Shqipëri.
Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi bëri të ditur se faza e parë e kërkimeve është drejt përfundimit dhe deri tani janë dokumentuar materiale të shumta me vlerë arkeologjike, që pasurojnë më tej kuadrin historik të zonës.
Një nga zbulimet më të rëndësishme të këtij projekti është identifikimi i një gardhi mbrojtës prej druri, i ruajtur në gjendje të mirë nën ujë. Ky strukturim tregon për organizimin e hershëm të jetës komunitare dhe mbrojtjen që banorët i ofronin vendbanimeve të tyre.
Profesori Albert Hafner, drejtues i ekipit zviceran të arkeologëve, e cilësoi zonën e Linit si një nga sitet më të mirëruajtura në Europë dhe me vlera të jashtëzakonshme për kuptimin e fillimeve të qytetërimit në kontinent.
Zbulimet në Lin dhe Buqezë po tërheqin vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve kulturore evropiane, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për kërkimin arkeologjik dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Ky projekt, përtej vlerave shkencore, përfaqëson edhe një urë bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës në promovimin e pasurisë historike të rajonit.
Komente
