Sociale

Liqeni i Kallabakut, atraksioni në Kukës që po shënon rritje të numrit të vizitorëve! Andrit Shehu: Duhet të promovohet edhe më shumë

20 Korrik, 15:00| Përditesimi: 21 Korrik, 14:19

  • Share

Prej vitesh, në Kukës po rritet zëri i atyre që jo vetëm duan natyrën, por edhe luftojnë që ajo të njihet dhe të mbrohet. Një prej tyre është Andrit Shehu, një prej promovuesve më të palodhur të turizmit lokal. Ndër destinacionet që ai veçon është liqeni i Kallabakut, një pasuri natyrore që gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e vizitorëve.

 “Ky liqen ka filluar të njihet gjithnjë e më shumë, por nevojitet që çdo aset turistik i Kukësit të promovohet në mënyrë të vazhdueshme nga institucionet, shoqëria civile dhe çdo individ që e do këtë natyrë”,- thotë Shehu.

Liqeni i Kallabakut, i fshehur mes maleve të Novosejt, është një nga perlat e Kukësit. Me ujë të pastër, peizazh malor dhe mundësi për sporte si kajaku, ai është kthyer në një atraksion të veçantë për të rinjtë e apasionuar pas natyrës.

Në kuadër të promovimit të turizmit të qëndrueshëm, Delegacioni i Bashkimit Evropian organizoi një aktivitet për të rinjtë në liqenin e Kallabakut. Pjesë e grupit ishte edhe Sara Zeka, e cila zbuloi këtë destinacion për herë të parë gjatë një angazhimi profesional në Kukës.

Pavarësisht rritjes së vizitorëve, sfidat mbeten. Andrit Shehu ngre shqetësimin për ndotjen me mbetje plastike që prekin jo rrallë këto pasuri natyrore.

 “Ka ende shumë për të bërë për ndërgjegjësimin e komunitetit. Duhet më shumë sensibilizim, që këto vende të ruhen e të mos mbulohen nga plastika e papërgjegjshmërisë”,- tha Shehu.

Udhëtimi drejt liqenit të Kallabakut është një përvojë më vete. Nga Tirana në Kukës, përmes Rrugës së Kombit, duhen rreth 90 minuta. Prej aty, udhëtimi vazhdon drejt fshatit Novosej për rreth 45 minuta të tjera në rrugë të asfaltuar. Segmenti i fundit është një shteg malor prej 45 minutash ecje deri tek liqeni.

Ndërsa rruga drejt liqenit po përmirësohet, autoritetet kanë në plan edhe asfaltimin e segmentit final deri në afërsi të tij. Kjo do ta bëjë liqenin më të aksesueshëm dhe do të nxisë më shumë zhvillim turistik në këtë zonë.

Liqeni i Kallabakut nuk është vetëm një peizazh për t’u admiruar. Ai është një pasuri që kërkon promovim, mirëmbajtje dhe ndërgjegjësim. Një thesar i Kukësit që, siç thonë Sara dhe Andriti, mund të bëhet krenari kombëtare, nëse mësojmë ta duam dhe ta mbrojmë.

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?