Liqeni i Shkodrës mund të bëhet së shpejti pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO me status “Rezervë Biosfere Ndërkufitare”. Në këtë drejtim, në Shkodër u zhvillua konferenca “Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës” ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal dhe institucioneve qeveritare nga Shqipëria dhe Mali i Zi.
Rudin Beka, zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për mbrojtjen e liqenit, ndërsa Klodiana Marika, përfaqësuese e Ministrisë së Turizmit vlerësoi punën e bërë deri më tani në përgatitjen e dosjes. Marika theksoi se dosja pritet te dorezohet në shtator.
Tonin Gjuraj, rektori i Universitetit të Shkodrës, nënvizoi rolin që ka luajtur universiteti në studimet mbi ekosistemin e liqenit, duke kontribuar me të dhëna shkencore që do të përfshihen në dosjen e aplikimit.
Dosja është në fazën finale të hartimit dhe pritet që shumë shpejt të dorëzohet zyrtarisht pranë UNESCO-s. Ndërkohë, po zhvillohen tryeza teknike dhe konsultime mes institucioneve të dy vendeve, me synim hartimin e nje plan menaxhimi të përbashkët dhe një vizioni të qëndrueshëm për ruajtjen e biodiversitetit.
Komente
