Lira turke ka hyrë në vitin e saj më të keq që kur presidenti Tajip Erdogan erdhi në pushtet gati dy dekada më parë, pavarësisht apelit të këtij të fundit të premten që turqit t'i besojnë politikave të tij jotradicionale, që mbështesin normat e ulta të interesit pavarësisht rritjes së inflacionit.
Lira humbi 44% të vlerës së saj kundrejt dollarit gjatë vitit (2021) dhe 19% vetëm në javën e fundit të tij.
Kriza e monedhës është përshpejtuar gjatë muajve të fundit, duke tronditur ekonominë prej 720 miliardë dollarësh, kryesisht për shkak të ‘programit të ri ekonomik’ të Presidentit Erdogan, të përqëndruar tek eksportet dhe kreditë me interesa të ulta, pavarësisht nga rënia e fortë që ka pësuar monedha vendase apo inflacioni i lartë prej më shumë se 21%.
Për të lehtësuar problemet, presidenti bëri të ditur dy javë më parë një skemë sipas së cilës shteti mbron depozitat në lira nga humbjet kundrejt monedhave të forta. Kjo shkaktoi një rritje të fortë prej 50% të lirës me mbështetjen e Bankës Qendrore turke.
Të premten, zoti Erdogan, mbështetja ndaj të cilit ka rënë sipas sondazheve të opinionit publik përpara zgjedhjeve në vitin 2023, u bëri thirrje turqve të mbajnë të gjitha kursimet e tyre në lira e të transferojnë arin në banka, duke shtuar se paqëndrueshmëria e tregut ishte kryesisht nën kontroll.
"Ne kemi bërë betejën për të shpëtuar ekonominë nga cikli i normave të larta të interesit dhe inflacionit të lartë", tha presidenti turk, duke përsëritur pikëpamjen e tij jotradicionale se normat e larta të interesit shkaktojnë rritjen e çmimeve.
Si përgjigje, lira pësoi disa luhatje. Kriza e monedhës, e dyta që nga viti 2018, ka goditur rëndë kursimet dhe të ardhurat e turqve, duke dëmtuar buxhetet dhe planet e familjeve e bizneseve turke.
Megjithë një rritje ndaj dollarit në dy javët e fundit, lira shënoi në vitin 2021 nivelin e saj më të ulët që nga viti 2001, kohë kur politikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar u bënë shkak për një krizë në Turqi./VOA