Sociale

Liria e medias/ Reporterët pa Kufij: Shqipëria renditet e 80-ta, përmirësim me 19 vende krahasuar me një vit më parë

2 Maj, 09:23| Përditesimi: 2 Maj, 16:34

  • Share

Në Shqipëri sipas organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufi”, është përmirësuar klima për lirinë e shtypit dhe pavarësinë e medias, krahasuar me një vit më parë. Vendi ynë në indeksin botërorë të kësaj organizate për vitin 2025, renditet i 80 nga 180 të tilla në klasifikim, ndërsa një vit më parë renditej i 99, një përmirësim me 19 vende.

Reporterët pa kufi evidenton se përmirësimi më domethënës i Shqipërisë është ai në aspektin legjislativ, ndërsa përkeqësimi më domethënës është shënuar në indikatorin politik.

Përmirësimet sipas Reporterëve pa Kufij
Treguesi i Sigurisë
Shqipëria ka pësuar përmirësimin më të madh në këtë fushë, duke u ngjitur nga vendi i 112-të në vendin e 70-të, me një rritje të ndjeshme të pikëve – nga 59.16 në 85.21.
Treguesi Ligjor
Në aspektin ligjor, Shqipëria është ngjitur nga vendi i 69-të në vendin e 53-të, ndërsa pikët janë rritur nga 67.47 në 69.51.
Treguesi Social
Megjithëse pikët kanë pësuar një rënie të lehtë, Shqipëria është ngjitur në renditje nga vendi i 71-të në të 68-in. 

Megjithëse raporti tregon një përmirësim të klimës së përgjithshme, evidentohen problematika. Reporterët pa kufij thotë se ‘liria e shtypit dhe pavarësia e medias në vend kërcënohet nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak’. 

Në raport thuhet gjithashtu se edhe pse kushtetuta e vendit dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme.

"Edhe pse kushtetuta e Shqipërisë dhe angazhimet ndërkombëtare ligjore garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme. Si pasojë e disa vendimeve gjyqësore të diskutueshme, mediave u është ndaluar të raportojnë për çështje të ndjeshme me interes publik", thuhet në raport. 

Ndërkohë, sa i përket vendeve të tjera të rajonit, Mali i Zi renditet në vendin e 37-të nga vendi i 40-të që ishte një vit më parë, Maqedonia e Veriut ka shënuar përkeqësim duke u renditur e 42-ta nga 36 që që ishte në 2024, Serbia ndodhet në vendin e 96-të ndërsa Bosnje-Hercegovina e 86-të.

Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në këtë indeks, duke u renditur në vendin e 99-të në botë. Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024, ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?