1.Ka disa vjet, qoftë nëpërmjet Procesit të Berlinit, qoftë pastaj me iniciativën jo jetëgjatë të quajtur “Open Balkan”(më herët Mini-Shengen), që proklamohet se zgjidhja për problemet e Ballkanit Perëndimor është vendosja e katër lirive evropiane. Konferencë pas konference, samit pas samiti dhe do të përsëritet nga shumë liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor se kjo hapësirë duhet të ketë lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Pra, që kufijtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë të njëjtë sikur ata mes shteteve të BE-së. Dhe, atëbotë ky regjion do të jetë i gatshëm për integrim në BE.
Samiti i parë në Berlin më 2014 inicioi ligjërimin se katër liritë do të bëjnë zgjidhjen e problemeve. Samiti i ardhshëm do të mbahet në Tiranë gjatë këtij muaji, dhe nëntë vjet më pas vëmendja e liderëve do të duhej të shtronte një pyetje themelore: si u bë që pas gjithë këtyre vite ligjërimi për katër liritë evropiane (madje stereo, në Proces të Berlinit e Open Balkan) një grup paraushtarak i trajnuar dhe i armatosur në Serbi sulmoi Kosovën?
Apo, mbase, liderët do të preferonin t’i qëndronin besnikë agjendës, dhe të bisedojnë për marrëveshje mobiliteti, të nënshkruara vitin e kaluar në Berlin? Edhe po të preferonin këtë, nuk është se kanë me çka të mburren. Në nëntor të vitit 2022, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje të quajtura të lëvizshmërisë; më e dukshme nga të cilat ishte lëvizja e qytetarëve me letërnjoftimet e vendeve të tyre. Këto marrëveshje nuk arritën të ratifikohen në të gjashtë vendet, me BH-në të bllokuar nga Dodiku. Serbia, ndonëse ratifikoi, po ashtu bëri një fizkulturë legale-diplomatike duke e njohur Maqedoninë e Veriut si depozitare të marrëveshjeve (por jo edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse) se nënshkrimi i Serbisë nuk nënkupton njohjen e Kosovës si të barabartë në aftësinë e saj ligjore.
2. Nëse i qëndrojnë agjendës, atëherë mund të vazhdojnë ligjërimin, vetëlavdërimin dhe inicimin e marrëveshjes së ardhshme, atë për njohjen e të drejtës së infermiereve për të punuar në të gjashtë shtetet (që nuk quhen zyrtarisht shtete). Në samitin e ardhshëm mbase do të iniciojnë marrëveshjen për mobilitetin e shoferëve të kamionëve e autobusëve, e kështu me radhë.
Ose, mund të bëjnë një pyetje të thjeshtë: pse nuk po mund të vendosen katër liritë evropiane në këtë pjesë të Evropës, edhe pse kori i atyre që këndojnë këtë këngë në mesin e politikanëve nuk ka qenë ndonjëherë më i madh?
Ndoshta, sepse përgjigjja mund të dalë se ekziston në këtë hapësirë liria e pestë, ajo që u ilustrua në Banjskë më 24 shtator të këtij viti. Nëse të katër liritë evropiane janë: liria e qarkullimit të papenguar të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, atëbotë me lirinë e pestë këto shndërrohen në lirinë e lëvizjes së grupit paramilitar, të mallrave si granatahedhësi M93 (me kapacitet prej 40-500 granata në minutë), të shërbimeve për destabilizimin e Kosovës (dhe pranisë së NATO-s në të). Në këto kushte garantohet lëvizja e lirë dhe e kapitalit, me thasë parash të gatshme nga çdo kontrabandë dhe korrupsion i mundshëm.
Liria e pestë është liria e arbitraritetit, e shpërfilljes së një rendi evropian të vendosur mbi rregulla. Siç u pa në Banjskë, katër liritë evropiane marrin formë krejtësisht tjetër prej atyre të vendeve të BE-së kur të aplikohet liria e pestë.
3.Mund të thuhet se shpikësi i lirisë së pestë është Serbia. Kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, Serbia tha se ky akt ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kërkoi që këtë interpretim të saj ta konfirmojë trupi më i lartë i ndarjes së drejtësisë ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ajo më 2010 dha mendimin e vet mospajtues me mendimin e Serbisë. Serbia vendosi të mos pajtohet me realitetin e edhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe 13 vjet më pas deklaron se është duke kërkuar drejtësi.
Prej atëherë deri më sot Serbia ka zbatuar me sukses lirinë e pestë, përfshirë edhe në përshkallëzimin më të ri, të futjes së njësitit paraushtarak në Banjskë. Kur u thuhet se kjo është kundër ligjit, përgjigjja nga autoritetet e Serbisë është se ky akt është veprim legjitim kundër “terrorit të Kurtit”.
Por, do të ishte e padrejtë që për lirinë e pestë të ngarkohej vetëm Serbia. Presidenti Vuçiq ka testuar suksesshëm vendosmërinë e një Evrope të rendit e të rregullave dhe ka parë se një e tillë mund të ekzistojë në relacionin mes Gjermanisë e Francës , por jo domosdoshmërisht mes këtyre dhe Ballkanit Perëndimor. Diplomat pas diplomati francez e gjerman kanë shkuar në Beograd dhe kanë ardhur në Prishtinë për të rrëfyer se si nëse Gjermania dhe Franca janë pajtuar pas aq shumë shekujsh lufte, është gjithsesi shumë më lehtë që këtë ta bëjnë Kosova dhe Serbia. Vetëm se këta nuk kanë kuptuar ndonjëherë se pajtimi gjermano-francez erdhi pasi që përfunduan luftërat. Kosova dhe Serbia nuk e kanë përfunduar konfliktin, e kanë vazhduar me mjete të tjera dhe ky konflikt ka arritur të kthehet tek shembujt e viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur njësitet paraushtarake serbe niseshin kundër Kroacisë e BH-së për të “mbrojtur popullin prej terrorit kroat”, “prej terrorit ustash” , “prej terrorit muxhahedin”, e të ngjashme.
Serbia mund të flasë për tregti, bashkëpunim ekonomik, katër liri dhe njëkohësisht të shpallë se veriu i Kosovës është i okupuar, duke legjitimuar çdo përdorim force për të “çliruar” veriun nga okupatori. Ajo mund të përdorë njëkohësisht gjuhë të ndritur të Procesit të Berlinit dhe gjuhë toksike të procesit të zhbërjes së Jugosllavisë, dhe këtë do ta bëjë derisa kështu të jetë e pranueshme për BE-në dhe SHBA-në.
4.Katër lirive evropiane u nevojitet një tjetër liri e pestë. Qytetarët e shteteve të BE-së e marrin si të mirëqenë paqen, por ajo nuk u erdhi e paketuar, u ndërtua vit pas viti, me bashkëpunim e me institucione, me negociata e kompromise, madje me arritje konsensusi. Por, para se i tërë ky zhvillim të ishte i mundshëm, shtetet e atëhershme që iniciuan BE-në si projektin më të madh të paqes ndonjëherë arritën lirinë e pestë, lirinë e frikës nga shteti fqinj, lirinë se ky fqinj do ta vazhdojë luftën me mjete të tjera, duke mos e përjashtuar edhe atë të armatosur. Projekti i BE-së do të ishte i pamundur pa besimin e ndërsjellë në siguri, të ofruar nga NATO-ja.
Këtë liri nuk e kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë hapësirë shtetesh e luftërash të papërfunduara liria e pestë mbetet ajo e arbitraritetit.
Banjska mund të jetë një përkujtim i esëllt se duhet arritur lirinë fillestare evropiane, të lirisë nga frika prej fqinjit, lirinë për të ndier siguri. Dhe se pa lirim nga kjo frikë, të ndërtuar me arkitekturë të përbashkët sigurie, katër liritë evropiane nuk mund të krijohen në këtë hapësirë.