Astrit Avdylaj

Lirimi i Avdylajt/ Dy mjekë u akuzuan për 'ekspertim të rremë' për shëndetin mendor, por dosja u mbyll

Astrit Avdyli, konsiderohet si një nga njerëzit kryesorë që fliste me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe funksionarë të tjerë të PS, duke shërbyer si ndërlidhës i zyrtarëve dhe vëllait të Astritit, Altin Avdyli, i arrestuar gjatë operacionit “Volvo 4”. Astrit Avdyli është dënuar me 16 vite burgim nga gjykata e Durrësit për akuzën e “Vrasjes me dashje”, në dëm të një qytetari në Durrës. Por ajo që ka ndodhur më pas, për sa i përket lirimit të këtij personi është fakti se Astrit Avdyli, ka përdorur të gjitha manovrat ligjore me qëllim daljen nga burgu. Avdyli dhe avokatët e tij në Tiranë dhe Durrës, kanë zgjedhur një manovër tipike të zakonshme që përdoret në sallat e gjyqeve, për të sjellë lirimin e parakohshëm të Avdylit nga qelia e burgut të Shën Kollit në Lezhë, duke pretenduar se Astrit Avdyli vuante nga rregullime mendore dhe vuante nga depresioni, duke pasur shenja të natyrës për të kryer vetëvrasje.

Avokatët mbrojtës kanë siguruar disa raporte mjekësore dhe menjëherë kanë filluar të depozitojnë në gjykatë, kërkesat për lirimin me kusht të të “çmendurit” Astrit Avdyli nga burgu. Kërkesën e parë për lirim e ka kryer në vitin 2006 duke parashtruar para gjykatës së Lezhës dhe shkaqet e gjendjes shëndetësore, si çrregullime mendore duke i rrezikuar seriozisht jetën e tij. Kjo kërkesë e bërë në gjykatë, Astrit Avdylit i është pranuar me vendimin nr. 253, datë 30 tetor 2006 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vendim i cili u bazua në ekspertimin psikik të hartuar nga dy ekspertët psikologë Latif Fjolla dhe Shkëlqim Korabi. Por pas këtij vendimi, prokuroria e Lezhës ka nisur hetim për dy mjekët psikiatër që kanë bërë ekspertimin mendor të Astrit Avdylit, ekspertim për të cilin prokuroria kishte dyshime se ishte kryer i rremë. Dosja e prokurorisë ndaj ekspertëve Latif Fjolla e Shkëlqim Korbi në lidhje me ekspertimin e bërë ndaj Avdylit, i akuzonte ata për kryerjen e veprës penale të “Ekspertimit të rremë”.

Por s’ka kaluar shumë dhe kjo dosje është pushuar, pasi në bazë të vendimit të formës së prerë të gjykatës, nuk provohej që dy mjekët e marrë të pandehur të kishin kryer veprën penale për të cilën ishin akuzuar. Nga ana tjetër menjëherë pas nisjes së hetimeve ndaj dy mjekëve psikiatër, vendimi është prishur dhe pasi çështja është kthyer për rishqyrtim, me vendimin objekt rekursi, Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur sërish prishjen e tij. Shkaku për të cilin është prishur në Apel vendimi për lirimin e Astrit Avdylit herën e parë ka rënë, pasi procedimi penal i filluar ndaj dy ekspertëve që kishin bërë aktin e ekspertimit psiqik në gjykimin e zhvilluar në vitin 2006, është pushuar me arsyetimin se nuk provohet që ekspertët të kenë kryer veprën penale të “ekspertimit të rremë” në këtë rast. Gjykata e Apelit Shkodër ka caktuar ekspertë të tjerë dhe ka administruar akt të ri ekspertimi në vitin 2015 për shëndetin psiqik të Astrit Avdylit.

Sipas këtij akti, nga qëndrimi në burg, kërkuesit i rrezikohet jeta. Ndërkohë me një akt-ekspertimi shtesë, të njëjtët ekspertë kanë konkluduar se me një trajtim adekuat kërkuesit mund të mos përbëjë rrezik për të tjerët. Ndërkohë akti i ekspertimit psikiatriko-ligjor nr.108, datë 17 mars 2015 “Mbi ekzaminimin e shtetasit Astrit Avdyli”, ekspertët psikiatër kanë konkluduar përfundimisht se qëndrimi i mëtejshëm në kushte burgu i këtij shtetasi i rrezikon jetën. Kaq ka mjaftuar që Gjykata e Lartë në 2 mars 2016, të prishë vendimin e gjykatës së Apelit Shkodër dhe të lirojë nga qelia Astrit Avdylin të dënuar me 16 vite për vrasje. Në vendimin e saj Gjykata e Lartë shprehet: “Ndjekjen në rrugë ambulatore të gjendjes shëndetësore të kërkuesit Astrit Avdyli në përputhje me ligjin dhe aktet përkatëse dhe nënligjore”. Por me sa duket Astrit Avdyli pasi ka dalë nga qelia ka filluar jo vetëm të kryejë disa vizita mjekësore por dhe të flasë dhe me njerës të pushtetshëm në Durrës, duke mbaruar punë nëpër zyrat e bashkisë Durrës, hipotekë, e inspektorate dhe duke drejtuar një kartel të fuqishëm të trafikut të heroinës në Evropë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?