Kronikë

Lirimi i hapësirave publike, kryebashkiaku i Korçës: I kam informuar bizneset për standardet e reja! Kanë afat deri më 17 gusht

31 Korrik, 12:20| Përditesimi: 31 Korrik, 12:50

  • Share

 

Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo në lidhje me lirimin e hapësirave publike në këtë qytet në një prononcim për mediat tha se një ditë më parë ka pasur edhe një takim me bizneset në zonën e pedonales, ky thekson se i ka informuar për standardet e reja të trajtimit të hapësirës publike.

“Bashkia e Korçës ka nisur aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet, në vijim edhe të aksionit kombëtar. Ky aksion do të prekë hapësirat publike që janë zënë nga bizneset, hapësirat publike që rrethojnë pallatet. Dje kam patur një takim me bizneset të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e pedonales, e cila preket nga ky projekt, ku i kam informuar për standardet e reja të trajtimit të hapësirës publike. Aspekti i parë janë elementët e mobilimit urban që do të lejohet të vendosen në këtë hapësirë publike, që do të jenë vetëm çadra, karrige e tavolina duke hequr të gjithë elementët e tjerë që janë pedanat, ndarjet anësore apo vazo rreth e rrotull bizneseve. Elementi i dytë është madhësia e hapësirës publike që do të vihen në dispozicion të bizneseve, për të respektuar raportin 25% për bizneset dhe 75% në dispozicion të kalimtarëve”, tha Sotiraq Filo.

Filo nënvizon se u ka dhënë afat bizneseve deri më 17 gusht për lirimin e hapësirave të zaptuara.

“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve. Shqetësimi ka qenë që nuk arrijmë dot të prodhojmë çadrat për të kaluar nga tendat e kioskat. Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri në 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që ti heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri në 17 gusht, e më pas të zëvendësohen”, shtoi ai.

“Brenda ditës së sotme do tju vihet në dispozicion hapësira që ata do të mund të përdorin, duke respektuar raportin që thamë, si edhe u janë dhënë elementët e reja të mobilimit urban, ngjyra e çadrës, lloji”, thekson Filo.

Gjatë takimit me pronarët e bizneseve kryebashkiaku ka qenë i prerë me ta, ku ndër të tjera tha se për pikat që janë abuzive nga bizneset, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë mirëkuptues.

"Kam bërë një kronologji të ecurisë të zonës pedonale që nga momenti kur ky investim është bërë nga bashkia. Ky aks është transformuar nga një rrugë kalimi për makinat në një zonë pedonale. Situata atje ka qenë që fillimisht bizneset që u hapën të parat dhe operonin si bar kafe, kanë qenë pikërisht në situatën që po kërkojmë tani. Pra kanë patur çadra dhe karrige, tavolina dhe sidomos ajo pika kritike ka qenë fillimi i zbatimit të ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit brenda lokaleve, filloi krijimi i këtyre strukturave jashtë lokalit që morën pamjen e kioskave.

 E vërteta është që unë si kryetar bashkie dhe këtë besoj duhet ta dëshmojnë pjesa më e madhe e bizneseve, nuk i kam inkurajuar asnjëherë që ta bëjnë këtë lloj ndërhyrje, madje ka një periudhë disa vjeçare kohe që i kam informuar që janë në një drejtim jo të duhur dhe këtu do të duhet të bëhet një projekt për ta rikthyer zonën pedonale ashtu si ka qenë më parë.

Një pjesë e bizneseve nuk janë lejuar ti vendosin këto struktura por kanë vazhduar me çadra, karrige e tavolina, një pjesë tjetër janë lejuar por gjithnjë kanë thënë vetë që në momentin që do të ketë një projekt nga ana e bashkisë, ne jemi të gatshëm që ti heqim vullnetarisht këto struktura. Kjo është një hapësirë publike, e cila administrohet nga bashkia dhe rregullat e shfrytëzimit të kësaj hapësire i vendos bashkia. Kam qenë dhe jam i gatshëm, dje kam diskutuar dhe kam qenë i mirëkuptuar për ato pika që ishin shqetësim si afati i ndërrimit të çadrave që do një kohë fizike për tu prodhuar çadrat, por për pikat që janë abuzive, nuk kam qenë e nuk jam fare mirëkuptues”, përfundoi ai.


Lajmi kryesor:

Lirimi i hapësirave publike, bizneset në Korçë protestë simbolike: Nuk jemi zaptues, por taksapagues, duam dëmshpërblim


Xh.K/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?