Ministri i Shtetit, Taulant Balla, zhvilloi një inspektim në Njësinë Administrative Nr. 2 në Tiranë, së bashku me skuadrën socialiste të zgjedhjeve të 11 majit, për të bërë inventarizimin e problematikave që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike.
Ky inspektim kishte si qëllim kryesor dëgjimin e qytetarëve në çdo lagje dhe rrugicë, për të respektuar 19 mandatet historike që Tirana i dha Partisë Socialiste më 11 maj, deputet i së cilës do të jetë edhe vetë gjatë legjislaturës së re.
“Për të dëgjuar qytetarët cep më cep, në respekt të plotë të 19 mandateve historike në Tiranë, të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, por duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm,” u shpreh Balla gjatë inspektimit në terren.
Ministri theksoi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë pa ndërprerje, për të garantuar akses për të gjithë qytetarët.
Ai ishte i qartë në mesazhin e tij: “Hapësirat publike mes pallateve janë pronë e përbashkët e banorëve dhe nuk mund të privatizohen nga askush, pavarësisht se kush ka qenë pronari i dikurshëm i tokës.”
Gjatë inspektimit, Balla denoncoi vendosjen e gardheve, ndarjeve me xhama apo strukturave pa leje që kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke paralajmëruar prishjen e tyre.
Ai u ndal edhe te pastrimi dhe mirëmbajtja e këtyre hapësirave, duke kërkuar kujdes të shtuar nga institucionet përgjegjëse.
“Hapësirat e përbashkëta duhet të jenë të pastra dhe të sigurta për të gjithë: për nënat me fëmijë, për fëmijët dhe për të moshuarit. Nuk mund të kthehen në vende grumbullimi mbeturinash apo të pengohen nga parkime pa rregull,” theksoi ai.
Në përfundim të inspektimit, Balla deklaroi se ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë që synon kthimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit.
Komente

Po tarracat nga depozitat u ujit kur do lirohen?
Përgjigju