Aksioni për lirimin e hapësirave publike i inicuar nga kryeministri Edi Rama dhe ndëshkimi i ndërtimeve pa leje, është përkrahur nga një masë e madhe qytetarësh, por ka edhe nga ata që vënë në dukje aplikimin me dy standarde të ligjit dhe urdhrave.
Duke marrë shkas nga postimi i kryeministrit Edi Rama ditën e sotme për gjyqtarin Hazbi Balliu që kishte dhënë një vendim të padrejtë për një pallat të paligjshëm në Tiranë dhe apelin që ai bënte për zbatueshmërinë e ligjit “njëlloj për të gjithë”, një prej qytetarëve ndjekës në rrjet ka ngritur shqetësimin e mosaplikimit të ligjit për lirimin e hapësirave publike në mënyrë të barabartë.
Nën emrin Alesio Lesio ai i drejton një letër publike institucioneve dhe Bashkisë Lezhë, për dijeni edhe kryeministrit, teksa njofton se atij i është hequr kioska me të cilën mbante familjen, por shumë biznese që i denoncon me emra vijonin aktivitetin e tyre.
Shënimi i plotë i komentuesit në faqen Facebook të kryeministrit:
“Drejtuar: Kryetarit të Bashkisë Lezhë
Lënda: Reagim mbi ndërhyrjet selektive në hapësirat publike
I nderuar z. Kryetar,
Me shumë "kënaqësi" mora vesh se Bashkia ka ndërmarrë masa të vendosura për lirimin e hapësirave publike, dhe ndër të parët që u ndëshkuan ishim ne, qytetarët e thjeshtë, që paskemi guxuar të vendosim një kioskë modeste – pa leje, padyshim – por që ka qenë mjet jetese për familjen time.
E mirëpres me “entuziazëm” këtë vendosmëri të befasishme për të sjellë rend dhe ligjshmëri. Megjithatë, nuk mund të mos e vë re me admirim durimin tuaj shembullor ndaj disa subjekteve të tjera që, për çudi, vazhdojnë të funksionojnë në hapësira publike pa u shqetësuar nga asnjë makinë e Inspektoriatit Ndërtimor.
Më lejoni t’ju përmend disa prej tyre, ndoshta ngaqë nuk i keni vënë re ende:
Goga Fish Restorant, që vazhdon të zërë hapësirën publike pa ndonjë ndalesë,
Restorant Vila Detari, me dy hyrje — një nga rruga dhe një drejt nga deti — që ka përvetësuar hapësira që dikur ishin publike,
Tëin Toëers, që përveç zhurmës, kanë zënë gjithashtu pjesë të konsiderueshme të bregdetit.
A mos ndoshta këto subjekte e kanë marrë “lejen speciale të paprekshmërisë”? Apo thjesht aksioni i Bashkisë ndalet aty ku fillojnë interesat e mëdhenj?
Si qytetar, nuk kërkoj trajtim të veçantë — vetëm barazi përpara ligjit. Nëse kioskës time i erdhi fundi për shkelje ligjore, atëherë pres që të njëjtin fat ta kenë edhe ata që zënë plazhin publik me restorante, lokale dhe struktura të tjera.
Nëse jo, atëherë ju lutem të më sqaroni edhe mua se si mund të aplikoj për një nga ato “licencat e padukshme” që të më rikthehet kioska, tani që vendi duket se është kthyer në një “parajsë selektive”. STOP - TV KLAN Mirela Kumbaro Furxhi Bashkia Lezhe Syri Tv Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.
Postimi dhe komenti i qytetarit, në FB e kryeministrit Edi Rama
Komente

Ne shqiperine tone padrejtesia eshte bere ligj.shume fjale shume premtime por ne fund i njejti avaz.e drejte kerkesa jote
Përgjigju