Me përfundimin e sezonit turistik, në Shëngjin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytet dhe pjesën e bregdetit.
Pas njoftimit paraprak të subjekteve dhe qytetarëve, prej kësaj të hëne Bashkia Lezhë, përmes Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Policisë Bashkiake dhe Drejtorisë së Shërbimeve, kanë zbarkuar në terren.
Kryeinspektori i IVMT Eraldo Smaçi, thotë se pjesa më e madhe e subjekteve kanë reaguar vullnetarisht duke liruar hapësirat, ndërsa për rastet e tjera po ndërhyhet me forcë dhe pa asnjë tolerim, deri në lirimin e plotë të zonave publike.
“Pas mbarimit të sezonit turistik IMT dhe policia bashkiake kanë evidentuar struktura që janë në hapësirat publike. Për ata që nuk veprojnë do të marrim masa ndëshkimore derisa të lirohen të gjitha hapësirat publike", thotë Smaçi.
Sipas të dhënave, në zonën e Shëngjinit janë evidentuar rreth 30 struktura të ndryshme që kishin zaptuar hapësira publike dhe aksioni do të vijojë deri në lirimin e plotë të tyre.
Komente
