Rrethimi i News24 dhe dokumenti i shoqërisë KAYO për lirimin e hapësirave

Politikë

Lirimi i ndërtesës së “Focus Media News”, Ardi Veliu: Ju pritëm 48 orë, por nuk vepruat. Materialet shkoni t’i merrni te Rezervat e Shtetit (DOKUMENTI)

12 Gusht, 15:47| Përditesimi: 12 Gusht, 23:34

  • Share

Pasi policia rrethoi godinën e televizionit News24 më 9 gusht për shkak të mosrinovimit të kontratës së qirasë, 2 ditë më vonë nisi lirimi i hapësirës së brendshme duke zhvendosur materialet.

Për shkak të këtij veprimi, nga televizioni pati ankesa për marrjen e objekteve dhe sendeve të gazetarëve nga ana e autoriteteve.

Por administratori i kompanisë shtetërore të armëve “KAYO”, Ardi Veliu, thotë se lirimi i ndërtesës së televizionit është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj.

Sipas Veliut, pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.

Report Tv disponon edhe shkresën që Ardi Veliu i ka dërguar administratorit të “Focus Media News”, Kino Buxheli, ku e vë në dijeni për zhvendosjen e materialeve, pasi i pritën për 48 orë për lirim vullnetar dhe nuk ndërmorrën asnjë veprim.

Të gjitha materialet e gazetarëve, thotë Veliu në shkresën e tij, janë dërguar te Rezervat e Shtetit dhe janë protokolluar, duke i bërë thirrje që të paraqitet për t’i tërhequr në cilësinë e administratorit.

“I nderuar Z. Buxheli,

Referuar takimit të zhvilluar më datë 09.08.2025 në ambientet e ish Uzinës Traktori, premtuat se do të lironit ndërtesën në mënyrë vullnetare. Sipas bisedës, vendimi Juaj për lirim vullnetar do të na përcillej edhe me shkresë zyrtare. Pasi Ju pritëm 48 orë dhe nuk pati asnjë reagim nga ana Juaj, ndërtesa u lirua nga forcat ushtarake, të cilat kanë në mbrojtje këtë ndërtesë. Ju bëjmë me dije se, materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës. Ju lutem të paraqiteni pranë Rezervave të Shtetit, Ju personalisht si administrator dhe i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt. Duke' Ju falenderuar për vëmendjen”, thuhet në letrën e Ardi Veliut drejtuar administratorit të “Focus Media News”.

 

Ora 12:41
Rrethimi i News24 me policë/ SafeJournalist: Autoritetet të shpjegojnë bazën ligjore, ndërsa pronarët e medias t’u japin rrogat dhe sigurimet gazetarëve

Rrjeti “SafeJournalist” ka reaguar përmes një deklarate zyrtare për rrethimin e godinës së “Focus Media Group” që posedon televizionin News24 dhe disa media të tjera, duke bërë thirrje që autoritetet shqiptare të japin shpjegime mbi bazën ligjore të aksionit të 9 gushtit.

deklaratë evidentohet se kjo ngjarje erdhi si pasojë e mosmarrëveshjes për pronësinë e godinës mes pronarëve të kësaj media dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që është pronare e ndërtesës.

Si pasojë e kësaj mosmarrëveshje, thotë ‘SafeJournalist’,  u ndërpre sinjali i transmetimit të News24, ndërsa 230 të punësuar në këtë kompani mediatike përballen me rrezikun e papunësisë.

“Prandaj, ne u bëjmë thirrje të përbashkët autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar, sigurinë e tyre, dhe të ofrojnë një shpjegim të plotë dhe publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të ndërmarrë në orët e para të së shtunës, më 9 gusht 2025, duke përfshirë kohën e zhvillimit, metodat e përdorura,  proporcionalitetin dhe nëse janë marrë parasysh alternativa më pak kufizuese; të heqin kordonin policor, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të lejojnë hyrje të lirë dhe pa pengesa në redaksi dhe vendet e raportimit, pa frikësim ose ndërhyrje”.

Kjo mosmarrëveshje mes shtetit dhe pronarëve të “Focus Media Group” nxorri në pah edhe një tjetër problem, që gazetarët dhe gjithë punonjësit e kësaj media po përballen me mospagesën e rrogave dhe të sigurimeve shoqërore prej disa muajsh.

“Ndërkohë, ne u bëjmë thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale, si dhe të sigurojnë ambiente të përkohshme dhe plane vazhdimësie për të mbrojtur stafin dhe për të ruajtur aksesin e publikut në informacion; të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë ligjore dhe transparente, me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur në punën gazetareske dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar; të sigurojnë shlyerjen e rrogave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, si dhe të mos ndërmarrin masa hakmarrëse ndaj stafit gjatë kësaj ndërprerjeje”.

Rrjeti ‘SafeJournalist” thotë se kjo problematikë ‘ngre çështje thelbësore lidhur me respektimin e procedurave të rregullta, proporcionalitetin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias’.

Ndërkohë, kujtojmë se kontrata e qirasë për godinën shtetërore ku ndodhet News24 ka skaduar prej 3 vitesh dhe ambientet duhet të ishin liruar që në atë periudhë, gjë që nuk kishte ndodhur.

Por kompania mediatike reagoi duke thënë se ka një tjetër kontratë të vlefshme deri në vitin 2030, për të cilën reagoi Ministria e Ekomonisë, Kulturës dhe Inovacionit duke sqaruar se kontrata e qirasë e pretenduar nga kompania “Fokus Media News”, i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Për këtë pasuri, MEKI thotë se shoqëria Panaroma Group sh.a., ka një detyrim prej 2 milionë eurosh të akumuluar që nga viti 2017, për shkak të mospagimit të qirasë për godinën, të cilën ajo thotë se i takon ende duke pretenduar një kontratë te vlefshme deri në vitin 2033.

Deklarata e plotë e rrjetit 'SafeJournalist':

Ne, Rrjeti SafeJournalists, partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, shprehim shqetësimin e përbashkët mbi pengimin policor dhe ngjarjet pasuese që prekën Focus Media Group: News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me të.

Në orët e para të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën në Tiranë ku ushtrojnë veprimtarinë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe pengoi qasjen për gazetarët dhe stafin. Kjo ndaloi transmetimin televiziv të News24 në kohë reale. Sipas Focus Media Group, nuk ishte dhënë asnjë paralajmërim paraprak për ndërprerjen efektive të sinjalit të transmetimit.

Veprimi i policisë buron nga një mosmarrëveshje më e gjerë pronësie midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group mbi qiratë dhe procedurat. Megjithatë, ndërhyrja e fortë e policisë është kryer mesa duket deri tani mbi baza ligjore të paqarta dhe pa respektuar procedurën e rregullt ligjore. Në mungesë të një baze ligjore të publikuar, vendimeve gjyqësorë dhe urdhrave ekzekutues, ose një afati dhe hapash të qartë për vijimin e procesit, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i veprimit vendosen seriozisht në pikëpyetje.

Si pasojë, që nga data 9 gusht një nga transmetuesit kryesorë të lajmeve në Shqipëri në nivel kombëtar, News24, ka qenë jashtë transmetimit. Deri më 12 gusht 2025, ende nuk ka asnjë qartësi se kur do të rifillojë transmetimi, as mbi të ardhmen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe stafit mbështetës të Focus Media Group. Kjo pasiguri minon besimin e publikut, dobëson pluralizmin dhe rrezikon të krijojë një efekt frikësues mbi lirinë e medias.

Ndikimi mbi punonjësit e medias është i menjëhershëm dhe serioz. Rreth 230 të punësuar, gazetarë, punonjës të medias dhe staf mbështetës tani përballen me rrezikun e papunësisë, ndërsa shumë prej tyre prej disa kohësh po përjetojnë vonesa në pagesat e rrogave dhe mosshlyerje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me ndërtesën e bllokuar dhe veprimtarinë e ndërprerë, mjetet e tyre të jetesës dhe e ardhmja e tyre profesionale janë në rrezik.

Prandaj, ne u bëjmë thirrje të përbashkët autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar, sigurinë e tyre, dhe:

të ofrojnë një shpjegim të plotë dhe publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të ndërmarrë në orët e para të së shtunës, më 9 gusht 2025, duke përfshirë kohën e zhvillimit, metodat e përdorura, proporcionalitetin dhe nëse janë marrë parasysh alternativa më pak kufizuese;

të heqin kordonin policor, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të lejojnë hyrje të lirë dhe pa pengesa në redaksi dhe vendet e raportimit, pa frikësim ose ndërhyrje;

të mbrojnë materialet dhe infrastrukturën gazetareske, duke u përmbajtur nga çdo sekuestrim ose dëmtim dhe duke siguruar akses të sigurt në pajisje, arkiva dhe lidhjet e transmetimit;

të mbrojnë të drejtat e punës gjatë ndërprerjes, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës që pagat dhe kontributet shoqërore të shlyhen dhe të mundësohen ambiente të përkohshme dhe masa për vazhdimësinë e punës;

të ofrojnë garanci efektive ligjore duke publikuar bazën ligjore dhe urdhrat, duke përcaktuar afatin dhe kushtet për heqjen e masave, duke siguruar një mundësi të qasshme për ankim me efekt pezullues kur është e zbatueshme, si dhe duke bashkëpunuar me AMA-n duke përdorur mjetet më pak kufizuese për të ruajtur vazhdimësinë e shërbimit të lajmeve;

të hetojnë çdo pengesë ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë llogaridhënie dhe të komunikojnë rregullisht me publikun.

Ndërkohë, ne u bëjmë thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group:

të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale, si dhe të sigurojnë ambiente të përkohshme dhe plane vazhdimësie për të mbrojtur stafin dhe për të ruajtur aksesin e publikut në informacion;

të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë ligjore dhe transparente, me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur në punën gazetareske dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar;

të sigurojnë shlyerjen e rrogave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, si dhe të mos ndërmarrin masa hakmarrëse ndaj stafit gjatë kësaj ndërprerjeje;

të ofrojnë transparencë të plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.

Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Kjo situatë ngre çështje thelbësore lidhur me respektimin e procedurave të rregullta, proporcionalitetin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias. Të gjitha palët duhet të veprojnë shpejt, në mënyrë transparente dhe në interes të publikut për të siguruar që këto të drejta të respektohen dhe mbrohen.

V.GJ /K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?