Lirimi i Viktor Ymerit! Vetë prokurori i njohu ditë e punës në burg, por çuditërisht bëri apelimin

6 Janar 2020, 13:37| Përditesimi: 6 Janar 2020, 14:29

  • Share

Për lirimin nga burgu i Peqinit të Viktor Ymerit nga Vlora, dajës së Edison Harizaj, ka qenë dakort dhe prokurori i çështjes Mustafa Turku, por çuditërisht në ditët në vijim, prokurori ka proceduar me apelim të vendimin të gjykatës së Elbasanit, e cila i kishte njohur ditët e punës në burg, që përllogariteshin në ulje të dënimin me 5 muaj e 16 ditë burg. Qëndrimi i prokurorit Turku në sallën e gjyqit, për lirimin e Viktor Ymerit është pasqyruar dhe në vendimin e gjykatës së Elbasanit, e cila prej ditës së sotme ka zbardhur në 10 faqe argumentet konkrete, se pse duhej të lirohej Viktor Ymeri, i dënuar për tre vrasje, dy në Durrës dhe një në Itali.

Në 14 nëntor 2018 Gjykata e Apelit Durrës rrëzoi burgimin përjetë të Viktor Ymerit dhe e dënoi atë përfundimisht me 25 vite burgim për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në vitin 1999 në Durrës. Ndërkohë një dënim tjetër ka mbërritur nga gjykata e Romës në Shqipëri dhe është njohur nga gjykata e Elbasanit, ku Viktor Ymeri (Imeraj) është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Gëzim Muçës dhe plagosjen e Taulant Maskës, ngjarje kjo e ndodhur në Romë Itali në vitin 1996. Mirëpo me një kërkesë për bashkim dënimesh gjykata e Apelit Durrës, ka pranuar bashkimin e dy dënimeve në një të vetëm duke e dënuar Viktor Ymerin përfundimisht me 25 vite burgim.

Në vendimin e gjykatës për lirimin e Ymerit nga qelia thuhet se:“…në 27 nëntor 2019 gjykata e Elbasanit, ka vendosur pranimin e kërkesës së bërë nga Viktor Ymeri për njohjen e ditëve të punës brenda në burg, konveruar këto në 5 muaj e 16 ditë burgim…”. Më tej gjykatësja Enkeleda Kapedani argumenton në vendimin e saj se me këtë vendim ka qënë dakort dhe prokurori i seancës, ku është shprehur se Viktor Ymerit i takonin ditës e punës të kryera brenda në burg. Por çuditërisht pavarësisht këtij qëndrimi, prokurori i çështjes për shkaqe ende të paqarta thotë gjykata, ka paraqitur ankim kundër këtij vendimi, duke refuzuar që të bëjë ekzekutimin e vendimin për njohjen e ditëve të punës në burg që kishte kryer Ymeri.

Në rastin konkret, vijon argumentin gjykata,“…vendimi gjyqësor që i ka njohur të dënuarit ditët e punës duke e konvertuar në burg e si rrjedhim në ulje dënimi, është vendim që lidhet drejtpërdrejtë me lirinë personale dhe është menjëherë i ezkekutueshëm…”. Nëse do të ishte ekzekutuar nga prokurori ky vendim gjykate, për të cilin ka qenë dakort dhe vetë përfaqësuesi i akuzës, atëherë sipas gjykatës Viktor Ymeri duhet të ishte liruar plotësisht në datën 4 shtator 2019. Më tej gjykata e Elbasanit, thotë se:“…Burgu i Peqinit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Prokuroria e Elbasanit janë institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të përgjigjen para ligjit se përse në me këtë të dënuar,nuk është ndjekur praktika si me të dënuarit e tjerë, duke i trajtuar rastet në mënyrë thelbësisht të diferencuar, pasi ky i dënuar është mbajtur në burgim pa vendim gjykate.

Mirëpo pavarësisht se Viktor Ymerit i janë njohur ditët e punës në burg,ai nuk është liruar pasi prokurori ka vendosur apelimin e këtij vendimi, në kundërshtim me qëndrimin që ai kishte mbajtur në gjykatë, ku ishte dakord. Me një kërkesë të dytë, Viktor Ymeri, i është drejtuar sërisht gjykatës së Elbasanit në datë 18 dhjetor 2019, duke kërkuar shuarjen e masës së dënimit. Nga verifikimi i kërkesës, rezultoi se Viktor Ymerit i kishte mbetur për të vuajtur dënimin 2 muaj e 2 ditë burg, ndërsa deri në datën e dhënies së vendimit në 27 dhjetor 2019, Viktor Ymerit, i kishte mbetur për të vuajtur dënimin edhe 1 muaj e 23 ditë burgim. Kjo periudhë burgu është shuar nga gjykata e Elbasanit duke sjellë lirimin e plotë të Viktor Ymerit nga qelitë e burgut të Peqinit.

(Kliko këtu për të lexuar vendimin e plotë të lirimit të Viktor Ymerit)

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?