Ish-shefi i Komisariarit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Zeka do të qëndrojë në arrest shtëpie. Masa e sigurisë u ndryshua për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-shefit të Rrugores Tiranës dhe pas mbërritjes së përgjigjes nga ekspertiza mjekësore.
Roven Zeka kërkoi lirimin nga qelia për shkak se ka dëmtuar legenin gjatë rrëzimit në paraburgim.
Zeka akuzohet nga SPAK për korrupsion lidhur me procedurat për një aksident. Më herët masa e arrestit në burg u la në fuqi nga apeli i GJKKO ndaj tij dhe oficerit Edison Tabaku ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve Sokol Novaku u lirua në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.
Roven Zeka u arrestua më 19 Prill 2025 me urdhër të SPAK së bashku me 2 ish-zyrtarë të tjerë policie për një çështje korrupsioni.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Roven Zeka dhe dy ish-zyrtarët Edison Tabaku (oficer i policisë gjyqësore) dhe Sokol Novaku (shef i sektorit të aksidenteve), dyshohet se kanë marrë para nga një grua e cila kishte bërë aksident, që prej tyre të mos referohej çështja në prokurori dhe për aksidentin të mos nisnin hetimet.
Komente
