Pas Shkodrës dhe Laçit, ka nisur puna për lirimin e një tjetër hapësire publike, në Vlorë. Hapësira të tilla, të përdorura prej vitesh si pika grumbullimi për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara, po kthehen një e nga një në shërbim të qytetarëve.
Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu ishte së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, Kryeadministratoren e AAPSK-së Risena Xhaja, nënkryetarin e Bashkisë Vlorë dhe drejtorin vendor të Policisë në një inspektim në Vlorë.
"Jemi në zonën e Nartës, është një nga 24 pikat e bllokimit në të gjithë vendin që Policia e Shtetit përdor për të gjithë automjetet e konfiskuara dhe të sekuestruara. Në fakt, që prej fillimit të muajit shtator, së bashku me AAPSK, kemi nisur një fushatë mbarëkombëtare për të pastruar të gjitha këto pika, të cilat zënë një sipërfaqe të konsiderueshme në të gjithë territorin e vendit, për t’i sistemuar, për të seleksionuar të gjitha ato mjete, që aktualisht kanë prej vitesh të depozituara. Siç mund ta shikoni, janë plotësisht jashtë funksionit", u shpreh Koçiu.
Procesi po zbatohet në të gjithë vendin, në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit, AAPSK-së, Drejtorisë së Rezervave Materiale të Shtetit, bashkive dhe institucioneve të tjera, me qëllim lirimin e hapësirave të bllokuara, pastrimin e mjedisit dhe rikthimin e tyre për përdorim publik.
"Agjencia, gjatë këtij muaji ka bërë një punë të lavdërueshme duke seleksionuar dhe evidentuar të gjitha mjetet, që ndodhen në këto pika, e janë për skrap apo për prova materiale, dhe janë të detyrueshme për t’u mbajtur nga Policia e Shtetit, si dhe të gjitha ato mjete që mund të jenë për përdorim e të cilat përmjet një plani që Agjencia ka hartuar, do t’i shpërndahen institucioneve publike për t’u përdorur prej tyre", nënvizoi drejtuesja e MPB-së.
Pikat e bllokimit të përdorura nga Policia e Shtetit janë sipërfaqe të konsiderueshme që shpesh herë krijojnë edhe problematika për komunitetet duke u kthyer edhe në zona të pasigurta.
"Në vijim të këtij aksioni të pastrimit të sipërfaqeve, ajo që jemi duke bërë është t’i shndërrojmë këto zona, në zona jo vetëm të pastra, por edhe në zona që fare mirë mund t’i përdorë pushteti vendor për të hartuar plane zhvillimi e për t’i kthyer komuniteteve në zona, kënde lojërash apo argëtimi për fëmijët por edhe për t’u përdorur nga institucionet publike, për qëllime apo interes publik", tha Koçiu.
Kryeadministratorja Xhaja informoi se qarku i Vlorës ka 8 pika grumbullimi të mjeteve.
"Kjo është pika e përqendruar, më e madhe. 5 pika janë në Sarandë, 1 në Delvinë, 1 në Himarë dhe kjo është në Vlorë dhe është një ndër pikat më të mëdha në rang vendi. Nga evidentimi që ka bërë DVP Vlorë, janë 2,124 mjete e motomjete, të sekuestruara e të konfiskuara, njëkohësisht edhe prova materiale, nga të cilat 1,400 shkojnë për skrap, pra lirohet pothuaj 80% e sipërfaqes. Pjesa tjetër janë të konfiskuara e do vlerësohet për t’iu kaluar institucioneve dhe ato që janë prova materiale, jemi në kontakt me Prokurorinë e Përgjithshme, të mbyllen si çështje dhe t’u japim një drejtim edhe atyre", theksoi Xhaja.
"Është shumë e rëndësishme sidomos për një pikë si kjo në Nartë, shumë pranë komunitetit të banorëve dhe shumë pranë zonave turistike dhe pranë një aksi transporti që do të rehabilitohet dhe ka të bëjë me projektin e hekurudhës se re dhe ndërlidhjes së Vlorës me aeroportin. Duke pastruar zonën nga kjo situatë e ngarkuar prej disa dekadash, ne fillojmë rehabilitimin, duke biseduar edhe me kryetarin, nevoja ishte emergjente që për një pjesë, bashkia të mund ta rikuperonte hapësirën dhe sipërfaqen në zonat e banuara. Nga ana tjetër të fillonte një përdorim normal duke ditur që siguria patjetër që cenohet në këto zona, edhe mjedisi, pa dyshim, sepse kemi të bëjmë me materiale që rrinë e degradohen, sidomos me një zonë të pyllëzuar siç është këtu. Do të kemi një periudhë disamujore ku mund të fillojmë evadimin progresiv, besoj se keni një plan se si do të ecë kjo", pohoi Ministri Vengu.
Rreth 5 muaj është përllogaritur procesi i largimit të mjeteve.
"Duhet thënë që brenda një muaji, AAPSK ka filluar me seleksionimin e të gjitha mjeteve që ndodhen në të tilla pika grumbullimi, e ndihmuar fort edhe nga Policia e Shtetit, pasi vetë policia është duke bërë një vlerësim në këtë pikë dhe është një bashkëpunim ndërinstituconal, pra janë një sërë strukturash të përfshira, përveç Agjencisë, Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit. Pra jemi së bashku në këtë proces që është i rëndësishëm për t’i kthyer territoret në sipërfaqe publike, të aksesueshme, të përdorshme nga komunitetet, qeverisja vendore, nga të gjithë sëbashku, për zona më të sigurta, për vende më të pastra, më miqësore", e mbylli mesazhin e saj Ministrja e Punëve të Brendshme.
Komente
