TURQI - Emri i Faruk Koca ishte më i lakuari javët e fundit, kjo sepse ish-presidenti i Ankaragucu dhunoi arbitrin Halil Umut Meler pas ndeshjes me Rizespor në Superligën turke të futbollit.
Koca u lirua dje nga paraburgimi dhe shkoi në shtëpi, ku u takua me tifozët verdheblu, të cilët vendosën të rrinin vigjilentë deri në lirimin e tij në mbrëmje. Mijëra fansa e pritën Faruk Koca me fishekzjarre dhe treguan dashurinë për të.
Duke iu drejtuar fansave që i uruan mirëseardhjen, Koca kërkoi sërish falje për ngjarjet e ndodhura.
“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që keni dhënë ditë e natë këtu për 15 ditë. Kam shumë siklet dhe më vjen keq që kam shkaktuar një incident të tillë. Unë kurrë nuk e mbroj këtë veprim që kam bërë. Të gjithë miqtë e mi që më njohin mund të jenë të sigurt se unë jam ndoshta personi i fundit që do ta kryej këtë veprim”, deklaroi ai.