Më shumë se 1500 persona janë arrestuar nga policia ruse gjatë protestave të zhvilluara ditën e djeshme në 82 qytete të Rusisë, duke bërë thirrje që të lirohet nga burgu kreu i opozitës, Alexey Navalny, shëndeti I të cilit po përkeqësohet ditë pas dite.
Protesta më masive u mbajt në Moskë ku mijëra demonstrues marshuan në qendër të qytetit duke mbajtur ndezur dritat e telefonave e duke shpalosur pankarta ku shkruhej “Liri për Navalny”.
Ekipi i kritikut të Kremlinit kishte bërë thirrje për protesta pas raporteve se 44-vjeçari ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe jeta e tij është në rrezik.
Organizuesit u bënë thirrje protestuesve në Moskë të mblidheshin në sheshin Manezh, jo shumë larg Kremlinit, por policia e bllokoi turmën. Megjithatë është ende e paqartë sa persona ishin pjesë e protestave, policia deklaroi se në Moskë u mblodhën 6,000 vetë, ndërsa një vëzhgues tha për kanalin YouTube të Navalni se bëhej fjalë për një turmë prej rreth 60,000 vetësh.
Grupi OVD-Info, i cili monitoron arrestimet politike dhe ofron këshilla ligjore, tha se u arrestuan të paktën 1,496 persona në 82 qytete, numri më i madh i arrestimeve rreth 600, ishte kryer në Shën Petersburg që nga fillimi I protestave në Janar, kohë kur krye opozitari u arrestua.
Ndërkohë ekspertët e të drejtave të njeriut të Organizatë së Kombeve të Bashkuara thanë se jeta e udhëheqësit të opozitës ruse Aleksei Navalny ndodhet në "rrezik serioz" dhe i bënë thirrje Moskës të lejojë që ai të marrë urgjentisht trajtim mjekësor në një vend tjetër.
Kritiku 44-vjeçar i Kremlinit ndodhet që prej muajit janar në një burg të sigurisë së lartë, në kushte të cilat mund të konsiderohen si tortura ndaj tij, thanë ekspertët, të cilët thanë gjithashtu se zotit Navalny i është "ndaluar mundësia për të marrë kujdesin e duhur mjekësor”.