Politikë

‘Lista e Berishës me shumë kandidatë që janë të Sorosit!’ Gjuzi parashikon 'fitore madhështore’, mesazhe të koduara Ramës e Bashës: I kanë qejf videot sepse...

28 Mars, 19:28| Përditesimi: 28 Mars, 22:16

  • Share

Në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së së Sali Berishës ka shumë emra që janë të Soros dhe për këtë është informuar edhe presidenti amerikan Donald Trump.

Kështu u shpreh sot në “Studio Live’ Report Tv, kryetari i Partisë Kombëtare Konservatore Albania, Kujtim Gjuzi, teksa shtoi se rotacioni më 11 maj do ndodhte dhe pavarësisht listës Berisha do fitonte.

I ftuari tjetër në Skype nga Italia, ishte ish-deputeti 'kaubojs' Eduart Ndocaj, aktualisht kandidat i Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës për qarkun e Lezhës, i cili apeloi që SPAK të hetonte krimet e Berishës që nga ngjarja e 2 prillit në Shkodër dhe deri te aksidenti misterioz i Sokol Olldashit.

I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj për zhvillimet e fundit politike dhe ngacmimet ironike të kryeministrit Edi Rama, Gjuzi tha:

“Të them unë që Rama nuk di të ngasë makinën, prapë është e ditur. Në dy raste që deshëm t’ia mësonim atij në qendër të Tiranës, nuk pranoi. Se kemi luajtur edhe basketboll me të. Në Fushë-Elbasan po bën pistë për Formula 1, ka shumë familje Gjuzi atje. Një njeri që nuk i jep makinës bën pistë për makina, është gjë e emirë që bën pistë atje. I them Ramës që të bëhet njëherë Jezu Krisht, e ka shansin për t’u bërë, me këtë rast uroj edhe besimtarët myslimanë për Bajramin. Unë mendoj se Rama ka nevojë për një vakancë, Ali Baba me 44 hajdutë t’i them unë atij, janë pak, se i ka 44 të akuzuar. Derr me këmbët e veta, në SPAK, jo thotë i morën telefonin për të riparuar.

Unë kam marrë vaporin me 13 mijë emigrantë, e kam çuar në Brindisi nga Vlora, ai thotë të dalë unë në det të hapur! Nuk kam nevojë të dal në det të hapur, pastaj unë dola në Parlament hapur”, i përgjigjet Gjuzi live nga Report Tv kryeministrit Rama.

Kurse për kreun e Koalicionit Euroatlantik dhe pyetjes pse u largua nga aleanca me Lulzim Bashën, Gjuzi, i cili nuk është kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit, tha:

“Basha bëri një tryezë dhe pastaj e harroi telefonin e Gjuzit. Të gjithë e mbajnë mend telefonin e papërgjueshëm të Gjuzit, ata që kanë Enchrochat e dinë, ku ka telefon të papërgjueshëm, hë Ramë, Sateliti 1, Sateliti 2 (ironizon kryeministrin). Ne duam zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme. Doli lajmi se salla në Greqi është paguar nga ambasada, nëse s’është e sigurt kërkoj falje. Basha 23 parti politike i kishte në tavolinë dhe nuk i afroi, nuk i mori dhe i ikën të gjithë. Doktori të kthen mesazh, të merr në telefon”.

Kurse për video-postimet virtuale dhe ‘dissing’ Rama-Basha dha koment të koduar.

“Edhe Basha dhe Rama kanë nga një video që s’duhet t’u dalë video, ndaj i kanë qejf videot”, u shpreh ai.

Gjuzi kujtoi se arrestimet e bujshme i kishte parathënë pa ndodhur, teksa kërkoi që Rama të largohet vetë. Teksa parashikon të paktën një fitore me 71 mandate të “Shqipërisë Madhështore”, ai vë theksin edhe tek prezenca e shumë emrave të Soros në listën e Berishës, për të cilët është shumë kritik.

“Ilir Meta është prapa hekurave, e kam thënë që nga Elbasani dhe në seancë, jep dorëheqjen i kam thënë. Edhe Veliajt i kam thënë, më vjen keq për mënyrën si është bërë, se isha kundër burgosjes, i kanë hequr edhe telefonin. Kurse Basha nuk hap telefonin, ai shmanget, i kam thënë, por kur s’merr në telefon. Në listën e Berishës ka persona të Sorosit, e ka marrë vesh edhe presidenti Donald Trump, ai që ishte prezent tha se ka pësuar një alergji të rëndë Trump. Doktor Berisha në dy raste më ka shpëtuar jetën. 77 mandate doktori i merr, por ka emra të Sorosit brenda. Por synojmë të paktën 71 mandate. I them Ramës që të ushtrojë tranzicionin e qeverisjes, t’i thotë Begajt të ushtrojë të drejtën e faljes, që të mos shkojë në SPAK”, tha Gjuzi mes të tjerash në ‘Studio Live’.

Ora 19:44
Eduart Ndocaj: Berisha duhet të ishte në burg te 313-ta dhe jo në fushatë, antishqiptar që ndihmoi serbët! Të hetohen krimet e tij që nga 1991, përfshi dhe aksidentin e Olldashit

 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duhet të ishte në burg te 313-a dhe jo në fushatë elektorale për të kërkuar rikthimin e tretë në pushtet në këto tre dekada.

Kështu u shpreh ish-deputeti ‘kaubojs’ Eduart Ndocaj, i ftuar sot (28 mars) në ‘Studio Live’ të Report Tv.

Me anë të një lidhjeje Skype nga Italia, ai komentoi zhvillimet e fundit politike, teksa kërkoi që SPAK të hetonte të gjithë veprimtarinë antikombëtare të Berishës që nga vrasjet e 2 prillit në Shkodër mbi tre dekada më parë, Gërdeci, 21 janari, furnizimi i makinerisë ushtarake të Millosheviçit me naftë dhe kundër Kosovës e deri te aksidenti misterioz i ish-deputetit dhe ministrit Sokol Olldashi, në vitin 2013 në Krrabë të Tiranës.

Ndocaj theksoi se Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Lulzim Basha, për të cilin kandidon si deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për qarkun e Lezhës, gjendet përballë dy figurave antagoniste dhe intrigante si Rama dhe Berisha, ku njëri premton pasaportën në BE dhe tjetri se do shkrijë SPAK-un.

Madje përforcoi mendimin se Berisha duhet të ishte te Burgu 313-të dhe pas duhet ta ndjekë edhe kryeministri.

“Ne jemi në garë me dy individë intrigantë, njëri thotë pasaportë për BE, tjetri se do shkrijë SPAK. Për të parën them se nuk ka nevojë për këtë premtim se e kanë pasaportën europiane pjesa më e madhe. Por më intrigante është data për hyrjen në Europë, më 2030, kur zgjedhjet janë më 2029, pra do të thotë se s’ka shanse për të hyrë në BE. Unë mendoj se Berisha do jetë te 313-ta dhe do e takojmë aty. Edhe Ramës do i përgatitet qelia. Berisha duhet të ishte në burg dhe jo të bënte fushatë. Kurse për zotin Berisha ne duhet të jemi te 313-ta bashkë me Ramën. Gjuzi tha 77 dhe është e veçantë në numra, se 7 herë 7 bëjnë 313-të. Dhe lista e PD e PS pjesa më e madhe është për te 313-ta. Siç është Meta në burg, duhet të ishte edhe Berisha në burg”, tha ish-ligjvënësi, që dikur ka qenë aleat me PS-në.

Dhe teksa analizoi se fitoret e këtyre dy figurave do nënkuptonin edhe fundin e Shqipërisë, apeloi që SPAK të hetonte të gjitha krimet e kreut të PD-së.

“Nëse fiton Berisha merr fund Shqipëria, ashtu sikurse nëse fiton Rama vendi merr fund dhe po ashtu emigracioni. Berisha është njeriu më antikosovar që mbahet mend, furnizoi makinerinë serbe me naftë gjatë luftës dhe kundër Kosovës. Po më ftoi Berisha i shkoj përsëri, për të parë se jam kurioz për të dëgjuar se çfarë mendon në moshën 81 vjeç. (Gjuzi ndërhyn dhe i thotë se Mali i Zi e ka pasur kryeministrin 96 vjeç). Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për rotacion, siç isha kundër Berishës më 2013 dhe doja rotacion, ashtu edhe tani kundër Ramës. Jam i mërzitur me ty Kujtim se më ke ofenduar Skënderbeun (replikën me Gjuzin në studio), Berisha nuk është Skënderbe ai është komunist dhe nuk ka as Krisht dhe as Muhamet. Shpresoj që edhe Gjuzi të na bashkohet neve, meqë edhe Berisha nuk e ka futur në listë (Gjuzi i thotë se ‘Basha s’i hap telefonin’)”, vijon Ndocaj.

Dhe në fund apeli për SPAK, teksa moderatori Hitaj e pyet nëse i qëndronte deklaratës se duhej hetuar aksidenti misterioz i Sokol Olldashit 12 vite më parë.

“Por nuk është vetëm aksidenti i Sokol Olldashit që SPAK duhet të hetojë apo hapë si dosje, por duhet të kthehemi pas në tre dekada për aktivitetin e Sali Berishës. Duhet ta nisim nga ngjarja antishqiptare e vrasjeve të 2 prillit në Shkodër. Ai është arkitekti i këtyre ngjarjeve të rënda. Kemi 1997, kemi Gërdecin, 21 Janarin, furnizimin me naftë të makinerisë serbe kundër Kosovës. Unë kërkoj që të bëhet drejtësi për qytetarët shqiptarë”, përfundoi ish-deputeti.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?