Lista e Sylvinhos/ Kombëtarja rikthen Muçollin, mungon sërish Broja! Për Çunin s’mjafton goli në Seria A

10 Nëntor 2023, 12:06| Përditesimi: 10 Nëntor 2023, 14:41

  • Share

24 futbollistë ka grumbulluar trajneri i kombëtares Sylvinho për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit kundër Moldavisë në transfertë më 17 nëntor dhe kundër Ishujve Faroe në Air Albania me 20 nëntor. Për shkak dëmtimi mungon sërish Armando Broja, i cili ka qenë i padisponueshëm gjatë gjithë eliminatoreve dhe ende s’ka zbritur në fushë nën urdhrat e trajnerit brazilian, ndërsa është rikthyer pas shumë kohësh sulmuesi Arbnor Muçolli. Ky i fundit luan me Goteborg në Danimarkë.

Pjesë e listës këtë herë do jetë edhe mbrojtësi Ardian Ismajli, i cili ka lënë pas dëmtimin, ndërsa Marvin Çunit nuk i ka mjaftuar goli në fundjavë në Seria A për t’u thirrur nga Sylvinho. 22-vjeçari duhet të presë ende për një ndeshje zyrtare si kuqezi. Në krahasim me herën e kaluar mungon në listë vetëm mbrojtësi Enea Mihaj, i cili luan në Portugali.

Në dy ndeshjet e fundit Shqipëria ka si synim të paktën një pikë, për të hapur shampanjën e kualifikimit në Europianin e Gjermanisë. Megjithatë kuqezinjtë do të provojnë vendin e parë në grup, pasi aktualisht e mbajnë me 13 pikë, 2 më shumë se Çekia e vendit të dytë.

Sakaq, të gatshëm për të mbrojtur portën kuqezi, trajneri Silvinjo do të ketë Etrit Berishën, Thomas Strakoshën e Elhan Kastratin. Emrat që përbëjnë repartin e mbrojtjes janë Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Ivan Balliu Campeny, Elseid Hysaj, Federic Veseli, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj. Në mesfushë e sulm, tekniku i Kombëtares shqiptare ka thirrur plot 14 lojtarë, duke nisur nga Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Keidi Bare, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani, Arbnor Muja, Arbnor Muçolli, Sokol Cikalleshi e Mirlind Daku.

Për zgjedhjet e bëra trajneri i kombëtares Sylvinho do dalë të shtunën në orën 11:00 në një konferencë për shtyp.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?