Administrata e Donald Trump po shqyrton vendosjen e kufizimeve të udhëtimit për qytetarët e dhjetëra vendeve si pjesë e një ndalimi të ri, sipas Reuters.
Bëhet fjalë për 41 vende të ndara në tre grupe të veçanta. Për grupin e parë prej 10 vendeve, duke përfshirë Afganistanin, Sirinë, Kubën dhe Korenë e Veriut, do të vendoset pezullim i plotë i vizave.
Në grupin e dytë përfshihen pesë vende, Eritrea, Haiti, Laosi, Mianmari dhe Sudani i Jugut, të cilët do të përballen me pezullime të pjesshme që do të ndikonin në vizat turistike dhe studentore si dhe vizat e tjera imigruese, me disa përjashtime.
Në grupin e tretë përfshihen 26 vende, mes të cilëve Bjellorusia, Pakistani dhe Turkmenistani do të konsiderohen për një pezullim të pjesshëm të lëshimit të vizave të SHBA nëse qeveritë e tyre "nuk bëjnë përpjekje për të adresuar mangësitë brenda 60 ditëve", thuhej në memorandum.
Një zyrtar amerikan paralajmëroi se mund të kishte ndryshime në listë dhe se do të duhet që të miratohet nga administrata, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA Marco Rubio.
Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv më 20 janar, duke kërkuar kontroll të intensifikuar të sigurisë për çdo të huaj që kërkon të hyjë në SHBA. Ai urdhëroi kabinetin që të paraqesë deri më 21 Mars një listë të vendeve nga të cilat udhëtimi duhet të pezullohet pjesërisht ose plotësisht.
Komente
