Foto ilustruese

Listë e hapur 2/3? Bazuar në rezultatin e 2021-shit, vetëm 40 deputetë do të zgjidheshin me votë nga shqiptarët! 100 emërime nga kryetarët

24 Korrik, 20:20| Përditesimi: 25 Korrik, 09:04

  • Share

Tirane- Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë sjellë në Kuvend një draft të dakordësuar për reformën zgjedhore, ku lajmi kryesor, bashkë me votën e emigrantëve, është hapja e listave për zgjedhjet e ardhshme. Drafti i dakordësuar përcakton se “një e treta” e listave të kandidatëve të jetë “e fiksuar” pra e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë, ndërsa pjesa tjetër, pra 2/3 e kandidatëve do të jenë për votim parapëlqyes, me një renditje alfabetike dhe kush merr një votë më shumë shkon i pari.

“100 mandate do të jenë të hapura, dhe pjesa tjetër e fiksuar”, tha në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku diskutohet projektligji me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfaqësuesi socialist në grupin e dialogut Damian Gjiknuri.

Por në fakt çfarë parashikojnë realisht ndryshimet në Kod dhe sa deputetë realisht do të shkojnë me votën e shqiptarëve në sallën e Kuvendit? Pika tre e nenit 163 e Kodit Zgjedhor, që pritet të kalojë në seancën e ardhshme, thotë: Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni. 

Pra fillimisht do të marrin mandatin kandidatët nga lista e kryetarit dhe më pas vendet e mbetura do t’u shpërndahen pjesë tjetër të listës, që kanë konkurruar për votat e shqiptarëve. Ja çfarë do të ndodhte nëse marrim si projeksion rezultatet fiks siç kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ato të vitit 2021:

TIRANA
Qarku i Tiranës në zgjedhjet e vitit 2021 zgjidhte 36 deputetë. Pra nëse do të aplikohej formula e dakordësuar 1/3 e listës, 12 kandidatë do të ishte e mbyllur ndërsa 24 të tjerët do t’i nënshtroheshin garës për votën parapëlqyese.  Rezultati në qarkun më të madh në vend doli si vijon: LSI 2 mandate, PSD 1 mandat, PD 15 mandate dhe PS 18 mandate. Duke qenë se në fillim mandatet do të ndaheshin për 12 të parët në listën e fiksuar atëherë me votë parapëlqyese do të hynin 3 deputetë nga Partia Demokratike dhe 6 nga Partia Socialiste. Pra zgjedhësit në Tiranë do të zgjidhnin vetëm 9 deputetë me votën e tyre nga 36 gjithsej.

FIERI
Në Fier i cili qarku i dytë më i madh në vend para 4 vitesh u zgjidhën 16 deputetë, me Partinë Socialiste që mori 9 ligjvënës, PD 6 dhe LSI 1. 1/3 e listës është 5 deputetë. Pra 5 socialistë dhe 5 demokratë do të zgjidheshin direkt nga kryetari, ashtu si edhe 1 i LSI së atëhershme. Vetëm 5 ligjvënës do të shkonin në Kuvend me votën e popullit, 4 socialistë dhe një i PD.

ELBASANI
Qarku i Elbasanit në zgjedhjet e vitit 2021 solli në Kuvend 14 deputetë. 1/3 e listës sipas propozimeve të Kodit të ri është 5 kandidatë, të cilët nga çdo parti do të ishin fitues fiks. Kjo pasi pjesëtimi i 14 mandateve totale me tre jep shifrën 4.66 dhe projektligji i propozuar për kodin zgjedhor përcakton se në këtë rast, numri i mandateve të caktuara nga partia rrumbullakoset në 5. Në zgjedhjet e kaluara dy ishin forcat politike që arritën të fitonin deputetë, PS 8 dhe PD 6. Pra nëse do të aplikohej formula e re, 4 deputetë do të zgjidheshin me votë parapëlqyese, 3 nga PS dhe 1 nga PD.

BERAT
Në Berat në 2021 janë zgjedhur 7 deputetë, PD 2 dhe PS 5. 1/3 sipas formulës do të ishte 2, pra vetëm 3 deputetë socialistë zgjidheshin me votë nga shqiptarët.

DIBRA
Qarku i Dibrës solli 5 deputetë, demokratët 3 dhe socialistët 2. 1/3 e listës sipas Kodit do të ishte 2 deputetë, pra vetëm një do të zgjidhej me votë parapëlyese.

DURRËSI
Edhe Qarku i Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021 solli në Kuvend 14 deputetë. 1/3 e listës sipas propozimeve të Kodit të ri është 5 kandidatë, të cilët nga çdo parti do të ishin fitues fiks. Në vitin 2021 PS mori 8 deputetë dhe PD 6. Pra nëse do të aplikojej formula e re, 4 deputetë do të zgjidheshin me votë parapëlqyese, 3 nga PS dhe 1 nga pd. 10 deputetët e tjerë do të caktoheshin nga kryetari i partisë.

GJIROKASTRA
Gjirokastra është një qark i vogël që ka zgjedhur vetëm 4 deputetë në vitin 2021, PD 1 dhe PS 3. 1/3 e listës do të ishte 1, kështu që 2 deputetë do të zgjidhen nga lista poshtë, e kandidatëve me garë direkte.

KORÇA
Në Korçë, 11 mandate deputetësh u ndanë në vitin 2021, PS 6 dhe PD 5. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, 3 do të ishin deputetët që do të zgjidhej me votë pëlqyese nga zgjedhësit, deputeti I pestë i PD dhe i pesti dhe i gjashtë i PS. Kjo pasi 1/3 e listës fikse do të ishte 4 (3.66 pjesëtimi).

KUKËS
Në Kukës, ku dalin tre mandate deputetësh, secila parti do të përcaktojë një të tretën, pra 1 mandat. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Kukës Partia Demokratike fitoi 2 mandate ndërsa Partia Socialiste fitoi 1 mandat. Nëse ky rezultat do të jetë në vitin 2025, atëherë dy deputetë të zgjedhur do të jenë caktuar nga partia ndërsa 1 nga zgjedhësit.

LEZHA
Ne Lezhë në vitin 2021 janë zgjedhur 7 deputetetë, PD 4 dhe PS 3. Një e tretë e listës sipas formulës do të ishte 2. Pra 4 deputetë, 2 nga PS dhe 2 nga PD do të ishin nga lista e fiksuar, ndërsa 3 të tjerët do të zgjidheshin me votë parapëlqyese. Lezha do të ishte nga qarqet që do të zgjidhte më shumë deputetë vetë, si përqindje në raport me totalin.

SHKODRA
Shkodra ka 11 mandate deputetësh. Në vitin 2021 5 mandate i mori PD, 3 PS, 2 PSD dhe 1 LSI. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, i vetmi deputet që do të zgjidhej me votë pëlqyese nga zgjedhësit do të ishte deputeti i pestë i Partisë Demokratike. 1/3 e listës do të ishte 4. Pra 10 mandate, 3 të PS, 4 mandate të PD, 2 mandate të PSD dhe 1 mandat të LSI do të caktoheshin nga kryetari i partisë.

VLORA
Qarku i Vlorës në zgjedhjet e vitit 2021 solli në Kuvend 12 deputetë. 1/3 e listës sipas propozimeve të Kodit të ri është 4 kandidatë, të cilët nga çdo parti do të ishin fitues fiks. Në vitin 2021 PS mori 8 deputetë dhe PD 4. Pra nëse do të aplikohej formula e re, 4 deputetë do të zgjidheshin me votë parapëlqyese, që të katërt nga Partia Socialiste. 10 deputetët e tjerë do të caktoheshin nga kryetari i partisë.

TABELA
TIRANA              36 deputetë           9 me votë parapëlqyese
FIERI                  16 deputetë           5 me votë parapëlqyese
ELBASANI          14 deputetë           4 me votë parapëlqyese
BERATI                7 deputetë            3 me votë parapëlqyese
DIBRA                  5 deputetë            1 me votë parapëlqyese
DURRËSI            14 deputetë           4 me votë parapëlqyese
GJIROKASTRA    4 deputetë           2 me votë parapëlqyese
KORÇA                11 deputetë          3 me votë parapëlqyese
KUKËS                 3 deputetë            1 me votë parapëlqyese
LEZHA                 7 deputetë            3 me votë parapëlqyese
VLORA                12 deputetë            4  me votë parapëlqyese
SHKODRA           11 deputetë            1  me votë parapëlqyese
GJITHSEJ          140 deputetë            40 me votë parapëlyese

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?