Lituania tha se do ta furnizojë Ukrainën me rreth 3.000 dronë luftues, të cilët janë bërë kyç në luftën e Kievit kundër pushtimit rus. Po ashtu, Lituania tha më 5 prill se do të ndihmojë në ngritjen e tri qendrave për rikuperimin e ushtarëve ukrainas.
“Në një të ardhme të afërt, Lituania do të blejë rreth 3.000 dronë FPV – të prodhimit lituanez – për Ukrainën, në vlerë prej 2 milionë eurosh”, tha kryeministrja Ingrida Simonyte, gjatë një konference të përbashkët për media me homologun e saj ukrainas, Denys Shmygal.
Dërgesat e para të dronëve mund të bëhen gjatë këtij viti, tha Simonyte.
Lituania e ka furnizuar me ndihmë Ukrainën në vlerë prej mbi 1 milion eurosh që kur Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.
Ky shtet po ashtu ka kontribuar në krijimin e qendrave për rikuperimin e ushtarëve në Lviv, Dnipro dhe Zhitomir të Ukrainës.
Simonyte po ashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të nisë bisedimet e anëtarësimit të Kievit në bllok “sa më shpejt” dhe insistoi se Ukraina duhet t’i bashkohet aleancës ushtarake të NATO-s./Rel